Pavarësisht takimeve të shpeshta që po zhvillohen mes dy kryeministrave Edi Rama e Kyriakos Mitsotakis, të dy vendet ende nuk po e hedhin hapin e çuarjes në Gjykatën e Hagës të çështjes së pazgjidhur të detit.
Kryeministri Rama e ka përsëritur dhe në një intervistë të dhënë gjatë qëndrimit në Athinë javën e shkuar, për të përditshmen Kathimerini, se do të jetë Gjykata e Hagës ajo që do të vendosë.
Por sërish ai nuk jep detaje mbi ecurinë e deritanishme të përgatitjes së dosjes ligjore që duhet të dakordësohet nga të dy palët për t’u dorëzuar në Hagë.
“Kemi rënë dakord të mos bien dakord dhe çështja do të zgjidhet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Ne kemi një marrëdhënie fantastike me Greqinë dhe personalisht me Kyriakos Mitsotakis, i cili di të flasë dhe di të dëgjojë. Populli gjithmonë gjen një mënyrë për t’i zgjidhur gjërat”, tha Rama.
Në intervistën që mban titullin “ne jemi bijtë e të njëjtit Zot” duke iu referuar lidhjeve mes dy popujve tanë, Rama flet për rëndësinë që ka lidershipi në marrëdhëniet që vendosen me fqinjët. Për të vlerësuar në këtë mënyrë lidershipin e Mitsotakisit, i cili këmbënguli së bashku me ministrin Nikos Dendias për hapjen e ekspozitës personale të Ramës në Athinë.
“Ka politikanë që po i shërbejnë axhendave të tyre dhe kështu lidhjet dypalëshe nuk përcaktohen nga marrëdhëniet njerëzore por nga lidershipet, dhe veçanërisht kur flasim për vende fqinje. Njerëzit thonë se ne prodhojmë më shumë histori në Ballkan se sa jemi në gjendje të konsumojmë. Unë jam optimist për Ballkanin, megjithatë, veçanërisht nëse gjejmë një mënyrë për të punuar së bashku dhe aq më tepër për të hyrë nën ombrellën e BE-së. Ne kemi problemet tona, natyrisht, mosmarrëveshjet tona dhe truket tona, por të tillë jemi, përndryshe, do të ishim Beneluksi. Sigurisht, ne do të luftojmë dhe do të grindemi, por kur godet fatkeqësia, është fqinji juaj ai që do të vijë për të ndihmuar i pari. Simpatia është gjithmonë e para dhe njerëzit e dinë këtë”.
Artikulli i Kathimerini ndalet shumë dhe tek profili i Ramës si artist, sportist e tani politikan, por që në hyrje të shkrimit ai përshkohet për shkak të stilit të veshjes më shumë si një yll rroku se sa një kryeministër e që gjithë sjellja e tij lexohet si “jokonvencionale”.