Rusia është gati të kryejë testin bërthamor në Arktik, për herë të parë që nga viti 1990. Lajmin e ka bërë të ditur, drejtuesi kryesor për testimet bërthamore ruse, Kundëradmirali Andrei Sinitsyn, në një intervistë për mediat ruse.
Sipas Sinistin, objekti i tij sekret ishte gati të rifillonte testet bërthamore “në çdo moment” nëse Moska jep urdhrin. Reuters beson se këto komente të rralla mund të nxisin shqetësimet se rreziku i një hapi të tillë po merr jetë.
“Vendi i testimit është gati për rifillimin e aktiviteteve të testimit në shkallë të plotë. Është gati në tërësi. Laboratori dhe objektet e testimit janë gati. Personeli është gati. Nëse vjen urdhri, ne mund të fillojmë testimin në çdo moment. Gjëja më e rëndësishme për ne është që të mos pengojmë zbatimin e detyrave shtetërore. Nëse vendoset detyra e rifillimit të testeve, ajo do të realizohet brenda afatit të përcaktuar”, deklaroi Andrei Sinitsyn, kundëradmirali i ushtrisë ruse.
Moska nuk ka kryer asnjë provë të re të armëve bërthamore që nga viti 1990, një vit para rënies së Bashkimit Sovjetik, por disa analistë perëndimorë dhe rusë thonë se presidenti Vladimir Putin mund të urdhërojë një hap të tillë pasi do të përpiqet t’i dërgojë një mesazh frenimi Perëndimit nëse lejon Ukrainën të përdorë raketat e saj me rreze të gjatë për të goditur Rusinë, diçka që është në diskutim.
Analistët besojnë se një provë bërthamore nga Rusia mund të inkurajojë të tjerët si Kina ose Shtetet e Bashkuara të ndjekin shembullin, duke filluar një garë të re armësh bërthamore midis fuqive të mëdha.
Vendi i testimit të Rusisë, i vendosur në arkipelagun e largët në Oqeanin Arktik, ishte vendi ku Bashkimi Sovjetik kreu më shumë se 200 teste bërthamore, duke përfshirë shpërthimin e bombës bërthamore më të fuqishme në botë në vitin 1961. Ai vëzhgohet nga afër nga satelitët spiun perëndimorë për aktivitet e fundit.