Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, foli shkurt përpara gazetarëve, duke theksuar se “jemi një parti dhe do të kemi një Kuvend”.
“Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor dhe jam krenar për vendimin e Kryesisë pas pothuaj 6 orësh diskutimesh, dua t’i falënderoj të gjithë, pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe për legjitimimin e plotë të besimit që u kanë dhënë demokratët. Një parti, një kuvend më 18 dhjetor dhe e sigurt është që nuk do të lejoj askënd ta mbajë Partinë Demokratike peng”, tha Basha.
Ndërkohë, Grida Duma theksoi se sot ka pasur “debat politik” dhe shtoi se respekton këdo që shpreh mendimin e vet pro apo kundër.
“Mbështes vendimin e sotëm politik. Sa i përket spekulimeve, është e qartë që unë thashë se kjo parti duhet të kthejë meritokracinë dhe datën 18 të Kuvendit duhet ta përdorë për të kërkuar ndjesë dhe të mos ketë më të emëruar. Partia duhet të vendosë garën, votën dhe drejtësinë”, deklaroi Duma.