Edhe në këto kohë pandemie, pastiçeria më e famshme e Lisbonës vijon të joshë klientët me tortat tradicionale.
Por pronari Miguel Clarinha thotë se biznesi i tij është goditur rëndë nga mungesa e turistëve dhe nuk mendon se kjo do të ndryshojë së shpejti. “Do të jetë një rimëkëmbje e ngadaltë. Njerëzit kanë frikë të udhëtojnë dhe ne e dimë se 2020 do të jetë një vit i keq. Shpresojmë që 2021-shi të jetë më i mirë”, thotë Clarinha.
Edhe pse shumë shtete europiane po heqin kufizimet në udhëtime, vetëm pak turistë mund të shihen në qytetin e vjetër të Lisbonës. Portugalia është mes vendeve më të varura nga turizmi, dhe ka nisur një fushatë për të rifituar vizitorët.
“Kemi krijuar një protokoll mes autoriteteve shëndetësore e të gjitha hoteleve për krijimin e një vule të posaçme që do t’u jepet atyre që garantojnë siguri e pastërti”, deklaroi kryeministri portugez Antonio Costa.
Portugalia vlerësohet për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë deri më tani, dhe falë izolimit të hershëm i ka ruajtur të ulëta shifrat. Masat për frenimin e përhapjes vazhdojnë të zbatohen, të tilla si kontrolli i temperaturës për të gjithë ata që vijnë në aeroporte.
Autoritetet besojnë se të dhënat pozitive do të ndihmojnë vendin të mundë shtetet të tjera, në garë për të joshur turistët. “Jemi mes vendeve që kemi testuar më shumë e që e dimë përhapjen reale të virusit”, shton më tej kryeministri.