Anëtarët e familjes Hysa në fshatin Qinam të Tiranës që u grabitën nga 3 persona të armatosur, kanë thënë se autorët ishin të maskuar dhe u prezantuan si policë.
Drita Hysa, zonja e shtëpisë, tregon se grabitësit i lidhën të gjithë pjesëtarët e familjes. Ajo thotë se autorët morën para dhe sende të tjera me vlerë. Sipas saj, ata kanë rënë pre e grabitjeve edhe herë të tjera.
“Isha në gjumë, del burri hap derën edhe thonë jemi policia, kontroll për armë. Edhe kapin burrin, e lidhin nga duart, e rrëzojnë përtokë. Shkojnë dhe sipër, unë s’e kam dëgjuar fare. Kapin dhe djalin sipër, e ulin poshtë. E lidhin djalin këtu. Dal këtu në derë unë shof atë me automatik, me maska, i veshur me doreza komplet. Ishte burri këtu, djali këtu. Më kapin dhe mua, më lidhin nga duart mbrapa dhe më shtrijnë në tokë. Dhe bërtisnin ‘mos lëvizni, policia’. Na kanë marrë telefona, lekë sa kanë gjetur, ç’a kanë gjetur. Burri bërtiste, i vunë dhe lidhëse në gojë. Ka qenë goca në katin e dytë, ka një fëmijë të vogël 6 vjeç. Është trembur djali. Burri punon në ndërtim privat me gjithë djalin. Ne në shtëpi. Na ka ndodhur dhe herë tjetër, jo në shtëpi, kanë marrë motorin këtu përjashta”.
Grabitja në banesën e familjes Hysa ndodhi mesnatën mes të enjtes dhe të premtes në fshatin Qinam. Autorët, 3 persona të maskuar dhe të armatosur, hynë në shtëpi dhe lidhën pjesëtarët nën kërcënimin e armëve.
Pasi morën paratë dhe objekte të tjera, ata u larguan në drejtim të paditur. Për fat të mirë, familjarët nuk kanë pësuar lëndime. Ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e grabitësve.