“Shekulli aziatik mund të ketë mbërritur duke shënuar fundin e një sistemi global të udhëhequr nga SHBA”, ka deklaruar shefi i punëve të jashtme të BE në mes të një diskutimi me temë se si kontinenti duhet të pozicionohet midis Kinës dhe SHBA.
“Analistët kanë folur prej kohësh për përfundimin e një sistemi të udhëhequr nga Amerika dhe ardhjen e një shekulli aziatik. Kjo tani po ndodh para syve tanë”, tha Josep Borrell para një grupi diplomatësh gjermanë të hënën, duke shtuar se pandemia e koronavirusit mund të shihet si një pikë kthese dhe se ”presioni për të zgjedhur anë po rritet“.
Në vërejtjet që duket se konfirmojnë se Bashkimi Evropian do të shpejtojë një zhvendosje në një qëndrim më të pavarur dhe agresiv ndaj Pekinit, ai tha se blloku 27-vendësh “duhet të ndjekë interesat dhe vlerat tona dhe të shmangë instrumentalizimin nga njëri ose tjetri”.
“Ne kemi nevojë për një strategji më të fortë për Kinën, e cila gjithashtu kërkon marrëdhënie më të mira me pjesën tjetër të Azisë demokratike”, shtoi ai.
BE-ja ka hezituar të bashkohet me qëndrimin konfrontues të Donald Trump ndaj Kinës, por sulmi i Pekinit ndaj pavarësisë së Hong Kongut, gatishmëria e saj në rritje për t’u bashkuar me populistët e Evropës dhe refuzimi i saj për të hapur tregjet e saj ka çuar në një ndryshim strategjie, sipas analistëve.
Borrell ka pranuar më parë se BE ka qenë naive për aspektet e Kinës, por tha se kësaj tani po i vinte fundi. Në një artikull të botuar këtë muaj në shumë gazeta evropiane, ai kërkoi më shumë disiplinë kolektive drejt Kinës.