Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se SHBA do që Greqia të udhëheqë Ballkanin dhe “të krijojë stabilitet në të gjithë rajonin”.
Në një intervistë me TV-SKAI me qendër në Athinë, Pompeo, i cili vizitoi Greqinë javën e kaluar, tha se ishte i bindur se “Greqia kishte kthyer faqen” dhe kishte “mundësinë e duhur” për të rinisur një zhvillim të ri.
Ai përshkroi marrëveshjen e re greko-amerikane të mbrojtjes, të përfunduar gjatë vizitës së tij, si të dobishme.
I pyetur nëse SHBA ishte “kthyer” në Ballkan, Pompeo u përgjigj në mënyrë pozitive, duke përmendur se bashkëpunimi i ri mbrojtës nuk ishte vetëm në lidhje me bazat amerikane, “por është shumë më i thellë se kaq”.
“Ne duam një Greqi të begatë, të prosperuar. Kjo është e mirë për investitorët amerikanë, e mirë për kompanitë amerikane (…) dhe natyrisht, e shkëlqyeshme edhe për popullin e Greqisë. Dhe në kontekstin më të gjerë, ne kujdesemi që Ballkani të stabilizohet. Kjo është një zonë që është, siç e dini, me shumë sfida, dhe ne duam që Greqia të jetë pararendëse … duam një fillim të ri me Kryeministrin e ri (Kyriakos Mitsotakis), që ai dhe ekipi i tij ta çojnë rajonin përpara dhe të krijojnë stabilitet në të gjithë rajonin”, tha Pompeo.
I pyetur “çfarë specifikisht mund të presë Greqia në kthim”, Pompeo tha se do të ishte më e sigurt nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, gjithashtu do të përfitonte komercialisht nga një marrëveshje e re mbrojtëse me Shtetet e Bashkuara.
Duke folur rreth asaj se pse Shtetet e Bashkuara mbajnë bazat ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Pompeo tha se ndërsa Bashkimi Sovjetik është copëtuar, “ndikimi rus me qëllim të keq mbetet në Lindjen e Mesme”, dhe tregoi që Irani “vazhdon të financojë terrorizmin ndërkombëtar”.
Pompeo tha nga ana tjetër se SHBA po bën gjithçka mundet për të parandaluar që Turqia të largohet nga Perëndimi.
Çështja e interesave të Turqisë
Pyetja ndoshta më domethënëse që zbulon më mirë diplomacinë amerikane, është ajo për Turqinë, një vend që sfidon vazhdimisht kufijtë e Egjeut dhe që kërkon të rrisë praninë e vet në kërkimet nëndetare për gaz dhe naftë në të. Sekretari amerikan ka refuzuar të flasë për një zgjedhje mes Greqisë dhe Turqisë në këtë kuadër, duke renditur me këtë rast rëndësinë e Turqisë, që është një aleat i NATO-s dhe një partner tregtar. “Po bëjmë gjithçka mundemi që të parandalojmë paparashikueshmërinë e asaj që mund të ndodhë në Egje. Është një partner i rëndësishëm tregtar për ne. Ata janë qartazi një aleat i NATO-s ku ne kemi një infrastrukturë të rëndësishme. Kemi objektiva të rëndësishëm politikë, ju i njihni mirë rreziqet e refugjatëve që vijnë nga Turqia apo Siria, apo nga rajoni. Kështu që një Turqi e suksesshme, një Turqi me rritje ekonomike, që përparon është e rëndësishme jo vetëm për Greqinë, por për të gjithë ne…Ne e shohim Greqinë dhe Turqinë jo në konkurrencë, por me karakteristikat e tyre specifike”, është shprehur Pompeo.