“Sot sollëm shpresën, me 14 maj do të sjellim ndryshimin”, kështu e nisi fjalimin Sali Berisha në çeljen e fushatës për zgjedhjet vendore. Berisha tha se demokratët nuk krahasohen kurrë me kundërshtarët socialistë.
“Sot sollëm shpresën, me 14 maj do të sjellim ndryshimin. Shqipërinë do e shpëtojmë dhe nuk ka forcë në botë që të na pengojë ne! Rroftë opozita shqiptare, ndryshimi është në duart tuaja, bashkë fitojmë. Por ka ende shqiptarë që thonë ç’më duhet mua, sepse propaganda banale qeveritare qarkullon një sofizëm, sipas të cilës këta janë të gjithë njësoj. Ne kishim të metat tona, por kurrë nuk krahasohemi me këta. Ne prisnim presidentin Xhorxh Bush, Edi Rama krenohej me mikun e ‘nderuar’ McGonigal, që e pret me padurim në sallën e gjyqit, në të njëjtën qeli do shkojnë. Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, këta duan ta nxjerrin nga Arbitrazhi vetëm pse i gjobit për vjedhjet që kanë bërë. Këta janë të gatshëm që të aplikojnë praktikat e izolimit të Enver Hoxhës, por ne kurrë nuk do i lejojmë.
“Ne dorëzuam pushtetin në kohën kur numri i shqiptarëve në Shqipëri rritej çdo vit. Në tetë vite të pushtetit të tyre u larguan mbi 1 milionë shqiptarë. Ne nuk jemi njësoj. Ne dyfishuam rrogat dhe pensionet dhe i lamë në nivelet më të larta të rajonit. Këta i çuan pas 10 vitesh në nivelet më të ulëta të rajonit. Ne kishim gabime, por ishim në grabitje. Me këta, njerëzit dhe shoqëria bien poshtë e më poshtë”, tha Berisha.
Për demokratët, theksoi Berisha, interesi kombëtar është i pari, “kurse këta me zbrazjen e Shqipërisë dhe Ballkanin e Hapur kanë të parë interesin serbo-rus”.
“Ne nuk jemi njëlloj, por të ndalemi te këto zgjedhje lokale. Kandidatët tanë janë shëmbëlltyra e moralit, virtyti i qytetarëve. Nuk ka si të jetë ndryshe se i zgjodhët ju me votën e lirë, i zgjodhët me primare. Ata janë kandidatët e lirisë, kandidatët e vullnetit tuaj, dinjitetit tuaj. Po kandidatët e bodrumeve të Edi Ramës, që përzuri votën nga partia e tij, çfarë janë? Thuhet se djalli ka shumë emra, po ashtu janë edhe kandidatët e Edi Ramës. Njerëz me shumë emra, sepse fshehin krime, mbulojnë të shkuarën e zezë. Shqiptarët nga 14 maji do përfaqësohen nga njerëz të ndershëm, punëtorë. Nga specialistë dhe ekspertë. Familjarë të ndershëm dhe patriotë të devotshëm që i zgjodhën vetë ata. Ne nuk jemi njëlloj, dallojmë shumë nga njëri-tjetri. Për ne, familja është themeli i shoqërisë. Kurse për këta, familja është prindi me numra dhe asgjësimi i saj.
Ne besojmë te qytetari ndaj vendosim të parin qytetarin, barazinë para ligjit, dinjitetin e tij. Kurse për këta sot, vota, dinjiteti i qytetarëve nuk kanë asnjë vlerë. Ne besojmë te taksat e ulëta dhe iniciativa e lirë. Këta bazohen te taksat e larta, klientelizmi. Ne nuk jemi njëlloj, interesi kombëtar është i pari. Kurse këta me zbrazjen e Shqipërisë dhe Ballkanin e Hapur kanë të parë interesin serbo-rus. Lufta me tolerancë zero ndaj krimit është kryesor për ne. Lidhjet me drogën dhe krimin janë skllavëruese për këta. Për ne, lufta ndaj korrupsionit dhe transparenca janë zotimi ynë. Ne do heqim parashkrimin. Gara e hapur është ligji ynë”.
Berisha tha më tej se fati që e pret Edi Ramën është ‘ai i mikut të tij, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal’.
“Edi Rama, siç konstatoni, ndjehet tmerrësisht i tmerruar. Është i tmerruar nga ju sepse ai e di se jeni misionarët e ndryshimit. Është i tmerruar se ai e di që do humbasë në mënyrë të turpshme më 14 maj. Atë e pret në mënyrë të pashmangshme, fati i mikut të tij, tradhtarit të kombit amerikan, Charles McGonigal. Ai e di se nuk ka gjykatës në botë që të dënojë ryshfetmarrësit dhe të mos dënojë ryshfetdhënësin. Nuk shpëton as se i vodhe vulën PD-së, nuk të shpëton as Soros, ky armik i egër i demokracisë shqiptare. Je krejtësisht i pashpresë.
Edi Ramës dhe rilindjes i themi këtu: jemi shqiptarë, ne o budallenj. Besën e prerë dhe votën e vjedhur nuk ta falim kurrë. Ndryshimi është në duart tuaja. Bashkë do fitojmë! Thirrjen që ndjeva unë e keni ndjeri edhe ju. Sot jeni pishtarë shprese që ndriçoni të ardhmen e Shqipërisë. Zoti e bekoftë opozitën shqiptare, Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë. Ju sot tregoni se shqiptarët nuk shiten, sepse nuk vini te ne se jeni të blerë me narkoeuro siç bën Edi Rama. Ju nuk vini te ne se u premtojmë privilegje apo vende pune, ju sot i tregoni çdo shqiptari se dinjiteti është dinjitet dhe se ne nuk jemi një popull që mund të mashtrohemi”, tha Berisha.