Jeni shkrimtar i ri? Keni nevojë për mbështetje për botimin e dorëshkrimeve tuaja të para? Aplikoni në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Thirrja u drejtohet gjithë lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç. Thirrja është hapur deri në datën 10 mars 2023, dhe informacioni i detajuar gjendet në faqen zyrtare të QKLL.
“Mbështetja e autorëve të rinj, atyre që do të përsosin gjuhën dhe kulturën shqiptare është një prioritet në punën tonë. Fondi i të Rinjve është një ndër fondet e suksesshme, i cili në këto tre vite ka luajtur një rol në nxitjen e të rinjve në rrugën e bukur të shkrimit shqip. Më shumë se 10 autorë të rinj janë promovuar përmes pjesëmarrjes në këtë konkurs”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e QKLL.
Sipas saj, ky konkurs u jep mundësi të rinjve që jo vetëm të botojnë veprat e tyre të para, por dhe të lexohen nga një juri profesionistësh, çka është e rëndësishme për çdo krijues të rinj.
Fituesit e këtij Fondi promovohen në aktivitete të ndryshme nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.