Satirë nga Helidon Tahiraj
I nderuar Rilindas! Me veshët ngritur, dëgjova këtu lart ku jam, që ju më keni quajtur socialist, meqë kur isha aty poshtë mendoja për fukarenjtë. Siç mendoni edhe ju në fakt.
A mundesh të më dërgosh ca ilaçe të mira nga ilaçet e fabrikave të ndonjë socialisti aty poshtë?
Aman m’i nis sa më shpejt, se po më dhembin akoma kockat dhe plagët që mora në tokë.
Si the?! Nuk bëjnë efekt, janë kot!
Më dërgo të lutem ndonjë tip të forti nga ata që keni me shumicë në parti. Dua që të frikësoj Judën, se më bie në qafë edhe këtu lart.
Edhe dicka se s’dua ta zgjas. Më dërgo edhe ndonjë rrobë, se këtu bën ftohtë ndonjëherë. Më dërgo ndonjë pelerinë te bukur nga fabrikat fasone që keni në pronësi ju “socialistët.”
Me se të m’i dërgosh? Po dërgoji me vinç. Keni plot socialistë aty poshtë që kanë vinça që ndërtojnë pallate deri këtu lart më qiell. Ose dërgomi me avionët e tyre personalë.
Aman o Rilindas, të përgjërohem socialistisht!
Të puth në ballë
Jezu Krishti, fukarai, socialisti “si ti”!