Presidenti Donald Trump, i cili është shtruar në spital për shkak të infektimit nga COVID-19, në një postim në Twitter të premten vonë shkruante: “Mendoj se po shkon mirë! Faleminderit të gjithëve”.
Mjeku i presidentit Sean Conley tha të premten në mbrëmje se: “Jam i lumtur të raportoj se Presidenti është shumë mirë. Nuk është e nevojshme t’i jepet oksigjen shtesë, por në konsultim me specialistët kemi zgjedhur të fillojnë terapinë me ilaçin remdesivir. Ai e ka përfunduar dozën e tij të parë dhe po pushon i qetë”.
Komentet e tij u bënë të ditura nëpërmjet një deklarate të sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.
Presidenti Trump u transportua me helikopter nga Shtëpia e Bardhë në një spital ushtarak aty pranë të premten pasdite, ku pritet të qëndrojë për të paktën disa ditë.
Përpara se të hipte në helikopter Presidenti i përshendeti me dorë disa here gazetarët që ndodheshin në vendngjarje dhe më pas u nis drejt Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda të shtetit të Marilendit. Ai do të punojë nga spitali në ditët në vazhdim.
“Me qëllimin për të treguar kujdes dhe shmangur çdo rrezik, sipas rekomandimeve të mjekut të tij dhe ekspertëve, Presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed gjatë ditëve të ardhshme”, thuhej në deklaratën e zonjës McEnany.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk do të ketë transferim të pushtetit nga Presidenti Trump tek Nënpresidenti Mike Pence.
Më herët Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital bazuar në rekomandimet e mjekut. “Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës”, tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.
“Nisur nga synimi për të qenë mëse të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” përfundon deklarata për shtyp.