Bota “Jo më maska në avion”, gjykatësja e emëruar nga Trump rrëzon urdhrin...

“Jo më maska në avion”, gjykatësja e emëruar nga Trump rrëzon urdhrin e Biden

Një vendim i një Gjykate të Floridas i jep fund mbajtjes së detyrueshme të maskës në mjetet e transportit në SHBA. Gjykatësja federale Chatherine Kimball Mizelle tha se nuk ka nevojë për një tjetër seancë për të vendosur se rregulli e tejkalon autoritetin e qendrës për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.

Vendimi, fillimisht shkaktoi paqartësi tek industria e udhëtimit, por tani një numër në rritje i kompanive ajrore konfirmojnë se maska nuk është më e detyrueshme në fluturimet e tyre. Qeveria federale nisi të kërkonte mbajtjen e maskave në avionë, trena, autobusë, anije dhe terminale në shkurt të 2021-shit.

Javën e kaluar, administrata Biden zgjati edhe më tej masën që do të skadonte më 3 maj, përballë rritjes së rasteve me koronavirus. Po vetëm disa orë më herët, lobi i industrisë ajrore i kishte shkruar Shtëpisë së Bardhë, për të kërkuar shfuqizimin e urdhrit.

“E kemi bërë për dy vjet dhe ka ardhur koha të heqim dorë duke ia lënë në dorë individëve”, deklaroi Ed Bastian, CEO i Delta Airlines.

Gjykatësja federale Chatherine Kimball Mizelle

Gjykatësja Mizelle u emërua si gjykatëse federale në vitin 2020 nga atëherë presidenti Donald Trump. Në vendimin e saj, thotë se pasagjerët ishin zhvendosur me forcë nga sediljet e tyre, u ishte mohuar hyrja në autobusë dhe ishin refuzuar në stacionet e trenave.

Mos mbajtja e maskës në avion nga kryeministri Edi Rama ishte para pak ditësh një lajm kryesor edhe në mediat shqiptare. Lajmi u bë publik nga media gjermane ‘Der Spiegel’, e cila shkruante se kryeministri Edi Rama ishte shoqëruar nga policia federale gjatë një vizite në Gjermani dhjetorin e vitit të shkuar.

Incidenti ndodhi në bordin e avioni ‘Lufthansa’, ku kryeministri shqiptar ka refuzuar me forcë të vendosë një maskë “FFP2” ose një maskë kirurgjikale, siç i ishte kërkuar, në vend të një maske pëlhure. Ndërsa Endri Fuga, drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim e cilësoi këtë lajm një incident të vjetër për të cilin, sipas tij, kompania ka kërkuar ndjesë.