Trazirat në Serbi e vënë në mendime Moskën. Serbia është tradicionalisht e lidhur ngushtë me Moskën. Në lojë, krahas interesave politike, janë edhe interesa ekonomike.
Juri Rescheto*
Po të jesh rus dhe të udhëtosh në Serbi, të pushton entuziazmi: “Serbët i duan rusët!” Mikpritës, të dashur, gjuhë të ngjashme. Ky entuziazëm nuk ka të bëjë vetëm me folklorin e përditshëm, por edhe me politikën. Kishte të bënte. Deri tani. Protestat aktuale kundër Presidentit Aleksandër Vuçiç mund ta ndryshojnë këtë. Prandaj Moska vështron këto ditë e merakosur në drejtim të Beogradit.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç konsiderohet si person me qëndrim miqësor ndaj Rusisë, politika e tij përballë Kremlinit – e parashikueshme. Por edhe sa do të qëndrojë ai në post? Vendi i tij është njëri ndër aleatët e paktë që i kanë mbetur Rusisë në Evropë. Çfarë do të ndodhë, po të ikë Vuçiçi? A do të bien hije mbi politikën e mirë bilaterale? A e kërcënon fundi miqësinë ruso-serbe?
Në lojë, krahas interesave politike, janë edhe interesa ekonomike. Serbia blen armë ruse dhe lëndë të para ruse. Beogradi është i interesuar për tubacionin rus të gazit “Turkish Stream”, që po ndërtohet aktualisht. Njëra nga degët parashikohet të kalojë përmes Serbisë jugore, në afërsi të Kosovës.
Të gjitha këto, Oleg Bondarenko i “Fondacionit të politikës progresive” të Rusisë i sheh të rrezikuara, po të detyrohet Presidenti Vuçiç të largohet nga posti. Në bisedë me DW, politologu shqetësohet për investimet ruse në ekonominë serbe dhe për stabilitetin e Kosovës: “Rusia ka nevojë për një Serbi të qëndrueshme. Rusia ka nevojë për një president të parashikueshëm në veprim, si Aleksandër Vuçiçi.” Bondarenko supozon që në ngjarje ndikon Perëndimi dhe që ushtron presion ndaj Presidentit, në mënyrë që Vuçiçi të jetë politikani i parë serb, që të njohë pavarësinë e Kosovës.
Frikë për një aleat të ngushtë
Janë shumë ata në Moskë që kanë frikë nga “dora e Perëndimit”, për ta famëkeqe. Aq më tepër kur SHBA flasin se duan ta sprapsin ndikimin rus në Ballkan. Radiostacioni moskovit “Kommersant FM” citon politologun Alexander Safonov: “Ky presion nga Perëndimi konsiston në atë, që Serbia të tërhiqet sa më fort në integrimin euroatlantik. Ndër të tjera synohet të përgatitet terreni për një anëtarësim në NATO. Serbia përfiton nga fakti që nuk i mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndryshe nga Presidenti Vuçiç, opozita serbe nuk do t’i mbështesë interesat ruse në Ballkan.”
Dhe në fakt, Serbia është i vetmi vend në Evropë që i kundërshton sanksionet kundër Rusisë. Prandaj për Moskën Beogradi është çelësi për politikën evropiane, konstaton Oleg Bondarenko përballë DW. “Protestat aktuale synojnë në tërësi që t’i dobësojnë marrëdhëniet serbo-ruse”, thotë përmbledhtazi politologu.
Atë e kundërshton publicisti moskovit Ivan Preobrazhenskij: “Në thelb nuk do të ndryshojë asgjë thelbësore. Që prej fillimit të presidencës së Vuçiçit Moska nuk ka parë te ai një politikan vërtet prorus. Megjithatë kjo nuk e pengoi kryetarin e shtetit të Rusisë, Putin që të ndërtojë marrëdhënie të mira me udhëheqjen ruse.” Preobrazhenskij ka dyshime nëse do të ketë ndërrim pushteti në Serbi. “Edhe po të vinte, në një koalicion të ri do të gjenden mjaft simpatizantë të Moskës.”
Njësoj si Bondarenko, edhe Preobrazhenskij dallon rolin kyç të Serbisë për politikën ndaj Evropës. “Humbja e Serbisë do të ishte e barabartë me humbjen e Ballkanit”, veçanërisht për shkak të refuzimit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë. Por ai nuk beson se një ndryshim i mundshëm i qeverisë në Beograd do të ndryshonte drejtimin prorus të serbëve.
*DW