Sot, nis viti akademik, por studentët nuk do të ulen në auditorë, pas vendimit të marrë për shkak të pandemisë. Megjithatë, dita e parë nisi me protesta nga studentët ndaj këtij vendimi.
Ata u mblodhën pranë Ministrisë së Arsimit. Me thirrje e banderola në duart, ata bënë thirrje për të mos e zhvilluar mësimin online.
Ata pretendojnë se nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme për t’u përgatitur për të zhvilluar mësimin online si dhe për t’u larguar nga konviktet apo shtëpitë me qira që kanë marrë në Tiranë. Sipas tyre, vendimi ka qenë i vonuar. Ata shprehen se gjatë sezonit të verës kanë pasur vështirësi në dhënien e provimeve dhe kjo është pasqyruar edhe te notat e marra gjatë atij sezoni.
Po ashtu, mësimi online kundërshtohet edhe për shkak të kostos. Ata kanë paguar detyrimet në konvikte apo në banesat me qira dhe u duhet që të përshtaten me mësimin online.