Politika “Jo poza e teatër”, Basha refuzon sërish ftesën e Ramës, propozon plan...

“Jo poza e teatër”, Basha refuzon sërish ftesën e Ramës, propozon plan me tre pika

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka takuar këtë mesditë banorët e lagjes nr. 7 në Durrës, që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit. Lidhur me ftesën e kryeministrit Edi Rama për bashkëpunim, kryedemokrati Basha është shprehur se ai dhe gjithë opozita mbështesin çdo përpjekje të qeverisë apo të kujtdo tjetër për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga tërmeti.

“Gjendja tragjike e këtyre njerëzve kërkon angazhim konkret, jo poza e teatër. Ne mbështesim çdo përpjekje që iu vjen në ndihmë këtyre njerëzve. Tani nuk është koha për shfaqje, fotografi. Ne mbështesim çdo përpjekje të qeverisë dhe të çdokujt tjetër për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, ne do bëjmë gjithçka kemi në dorë për ta. Tani është koha për veprime të mirëkoordinuara urgjente që të vlerësohet gjendja e banesave dhe t’iu garantohet strehim njerëzve”, tha Basha.

Lideri demokrat ka propozuar një plan me tri pika për t’iu ardhur në ndihmë banorëve, që sipas tij, duhet të nisë me vlerësimin urgjent të banesave, në mënyrë që banorët të mësojnë nëse duhet të kthehen te shtëpitë e tyre apo jo.

“Unë propozoj një plan me 3 pika: së pari organizimin e 500 inxhinierëve për të përshpejtuar procesin e vlerësimit të banesave; së dyti vlerësimi me urgjencë dhe ndarja e banesave në të banueshme dhe të pabanueshme; e treta është të përdoren fuqitë që ka qeveria në gjendjen e fatkeqësisë natyrore për të anuluar afër 150 dollarë në buxhet të planifikuar për 10 oligarkë dhe këto t’iu vijnë në ndihmë banorëve. Këto janë tri pikat që propozoj sot, ndërkohë që ekspertët tanë po punojnë për t’i zhvilluar më tej”, deklaroi Basha