Bota Jo vetëm Kamala Harris, kush janë 5 emrat që mund të zëvendësojnë...

Jo vetëm Kamala Harris, kush janë 5 emrat që mund të zëvendësojnë Joe Biden në garën presidenciale

Presidenti Joe Biden vendosi të tërhiqet nga gara presidenciale. Pas njoftimit, ai mbështeti nënpresidenten Kamala Harris për të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidate për presidente në zgjedhjet e nëntorit.

Por, mbështetja e presidentit nuk mjafton. Zonja Harris duhet të sigurojë mbështetjen e partisë, ndërsa në Kuvendin Kombëtar Demokrat, që mbahet më 19-22 gusht në Çikago, mund të ketë edhe disa pretendentë të tjerë të mundshëm për të marrë emërimin si kandidat për president.

Kandidatët e mundshëm demokratë për të zëvendësuar presidentin Biden.

Kamala Harris – Nënpresidente e Shteteve të Bashkuara

Ajo ka udhëhequr fushatën e administratës për mbrojtjen e të drejtave riprodhuese të grave. Në fillim, ajo hasi në vështirësi në përcaktimin e rolit të saj në administratë.

Emri i saj është më i përfoluri në mesin e kandidatëve të mundshëm, por, ngjashëm me presidentin Biden, mbështetja për të është e ulët.

Zonja Harris është një aleate e palëkundur e presidentit, të cilit i doli në mbrojtje menjëherë pas debatit.

Ajo është ish-senatore amerikane nga Kalifornia dhe ish prokurore e përgjithshme.

Gretchen Whitmer – Guvernatore e Miçiganit

Ajo fitoi mandatin e saj të dytë më 2022 me mbi 54% të votave në këtë shtet fushëbetejë.

Fushata e saj e vitit 2022 u siguroi demokratëve kontrollin e legjislaturës së shtetit dhe postin e guvernatorit – për herë të parë në 40 vjet.

Ajo ka miratuar politika që mbrojnë të drejtën për abort dhe sigurinë e armëve.

Emri i saj është përfolur si kandidate e mundshme në zgjedhjet e vitit 2028.

Gavin Newsom – Guvernator i Kalifornisë

Një nga pretendentët kryesorë për zëvendësimin e presidentit Biden.

Guvernatori shfaqet shpesh në media për të lavdëruar ose mbrojtur presidentin Biden, si dhe për të kritikuar ish-presidentin Trump. Ai ishte po ashtu politikani kyç i partisë në mediat konservatore.

Newsom ka qenë zëvendës guvernator për dy mandate dhe më parë kryebashkiak i San Franciskos.

Emri i tij përflitet si kandidat i mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028.

Josh Shapiro – Guvernator i Pensilvanisë

Ai fitoi zgjedhjet më 2022 me 56% të votave në një shtet përcaktues të zgjedhjeve të cilin Trumpi e fitoi me rezultat të ngushtë më 2016, ndërsa Bideni e fitoi po ashtu me rezultat të ngushtë më 2020.

Ai është ish-prokuror i përgjithshëm në Pensilvani.

Shapiro vë theksin tek bashkëpunimi dypartiak dhe gjatë mandatit të tij ka punuar përtej linjave partiake.

Ai ka ruajtur gjithashtu një shkallë të lartë mbështetjeje që kur u zgjodh.

Guvernatori fitoi vëmendje kombëtare pasi rindërtoi shpejt një urë të shembur në Filadelfia përgjatë një autostrade të rëndësishme shtetërore.

J.B. Pritzker – Guvernator i Illinoit

Ai ka mbikëqyrur masat për mbrojtjen e të drejtave të abortit, si dhe sigurinë dhe kontrollin e armëve.

Pritzker mori vëmendje kombëtare për sulmet e tij të ashpra ndaj ish-presidentit Trump dhe mbështetjen për presidentin Biden.

Biznesmeni miliarder është trashëgimtar i rrjetit të hoteleve Hyatt. Ai ka një pasuri prej rreth 3.5 miliardë dollarësh.

Ai ka shpenzuar 350 milionë dollarë në dy fushatat e tij për guvernator.