Adriatik Llalla nuk është i pari prokuror, që në cilësinë e ish-kryeprokurorit të Republikës së Shqipërisë iu revokua viza apo mundësia për të shkelur në Amerikë. Shtetet e Bashkuara i kanë revokuar vizën edhe prokurores së Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), me seli në Hagë, Fatou Bensouda.
Vendimi mendohet të jetë marrë si kundërpërgjigje e Amerikës ndaj hetimit të nisur nga Bensouda për krime të mundshme lufte nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre, në Afganistan.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara mund t’i refuzonin hyrjen, apo t’i revokonin vizat, kujtdo prej stafit të Gjykatës së Hagës, që do të përfshihej në hetime të tilla.
Zyra e Bensouda reagoi duke treguar se prokurorja do të vazhdonte punën e saj “pa frikë dhe pa favorizime”.
“Nëse dikush është përgjegjës për hetimin e propozuar në ICC ndaj personelit amerikan, në lidhje me situatën në Afganistan, atëherë përgjegjësi nuk duhet as ta mendojë se mund të ketë ende të vlefshme vizën, apo të kërkojë vizë, apo se mund të lejohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara. Ne jemi për çdo rast gati të ndërmarrin hapa të mëtejshëm, përfshi edhe sanksione ekonomike, nëse Gjykata e Hagës nuk ndryshon kurs”, deklaroi kryediplomati amerikan.
Një raport i vitit 2016 nga Gjykata Ndërkombëtare Penale theksonte se, ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se ushtria amerikane ka kryer tortura në qendra sekrete paraburgimi në Afganistan, të cilat operohen nga CIA, dhe se qeveria afgane dhe kryengritësit talebanë kanë kryer krime lufte.
Shtetet e Bashkuara, që kanë qenë tejet kritikë ndaj Gjykatës së Hagës që prej ngritjes së saj, është mes dhjetëra shteteve që nuk i janë bashkuar kësaj gjykate.
Gjykata e Hagës heton dhe vendos para drejtësisë njerëz që janë përgjegjës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, e që ndërhyn kur autoritetet kombëtar nuk munden apo nuk duan të ndjekin penalisht dikë.
ICC-ja u ngrit me anë të një traktati të Kombeve të Bashkuara në vitin 2002, e është ratifikuar nga 123 shtete, përfshi Britaninë e Madhe, por disa vende të tjera si Kina, India dhe Rusia kanë refuzuar t’i bashkohen asaj.