Bota Jo vetëm në Tiranë, presion i fortë amerikan edhe ndaj Zaevit në...

Jo vetëm në Tiranë, presion i fortë amerikan edhe ndaj Zaevit në Maqedoni: Arrestime

Pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë për arrestime të kokave të krimit, i njëjti mesazh është përsëritur edhe në Shkup.

Arrestime edhe në Maqedoni si kusht që qeveria e Zaevit të ketë rrugën e hapur për integrimet euro-atlantike.

Ky duket të jetë mesazhi i SHBA për fqinjin tonë lindor.

Zv.ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Brian Hoyt Yee ka deklaruar në një intervistë për emisionin “360 gradë” në Tv Alsat në Maqedoni, se të gjitha çështjet e rrjedhura nga përgjimet e paautorizuara që u publikuan nga Zoran Zaev kur ishte në opozitë, duhet të trajtohen ligjërisht.

Ai ka deklaruar se kjo ka të bëjë me besueshmërinë e këtij vendi, çka do të thotë se të ashtuquajturat “bomba” që opozitari Zaev hodhi dikur për të helmuar opinionin maqeonas duan një përgjigje ligjore.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike, liderëve politikë, liderëve të qeverisë dhe anëtarëve të Parlamentit  që të bëjnë gjithçka munden që drejtësia të bëhet…që Prokurorit të Përgjithshëm t’i jepet mbështetja e nevojshme që të bëjë punën e tij…”, tha Yee. Ky është një mesazh i qartë kushtëzues për qeverinë e Zaevit, për ardhjen e së cilës në pushtet luajtën një rol instrumentar edhe shqiptarët e pas tyre edhe Tirana zyrtare.

Yee ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Sipas zyrtarit amerikan Rusia po përpiqet që të dekurajojë hyrjen e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE.

Ai ka apeluar për një media të fortë dhe të pavarur për t’i rezistuar çdo ndikimi malinj, cilidoqoftë burimi i tij.