Shtetet e Bashkuara do të kenë mjaftueshëm vaksina për të imunizuar çdo person të rritur deri në fund të majit, sipas presidentit Joe Biden. Më herët ishte përmendur korriku si afat, por Presidenti kërkon intensifikim të fushatës dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të marrë vaksinën.
SHBA do të ketë mjaft vaksina të koronavirusit për çdo të rritur deri në fund të majit. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti amerikan Joe Biden.
Vaksinat priten të vijnë dy muaj më herët nga sa pritej dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë është shprehur se vaksinimi duhet të zgjatet gjithashtu dhe njerëzit të binden ta marrin atë.
Ai paralajmëroi njerëzit që të qëndronin vigjilentë sepse kjo luftë nuk ka mbaruar me variantet e reja të cilat tanimë janë një shqetësim i madh.
Megjithëse ka pasur një rënie të ndjeshme të rasteve që nga fillimi i vitit, në disa zona rastet janë rritur duke nxitur frikën e një vale tjetër. SHBA-të kanë regjistruar 29.3 milion infeksione dhe 529,000 vdekje në lidhje me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Më shumë se 76 milionë doza vaksinash janë administruar duke mbuluar 15.3% të popullsisë dhe SHBA mbetet në rrugën e duhur për të përmbushur zotimin e Biden për shpërndarjen e 100 milionë dozave të vaksinës Covid-19 në 100 ditët e tij të para në detyrë.
Presidenti u shpreh gjithashtu se SHBA po ecën me hapa të sigurtë për të patur një furnizim të mjaftueshëm të të gjithë vaksinave. Një njoftim tjetër kryesor ishte zotimi për t’i dhënë secilit mësues të paktën një dozë deri në fund të marsit dhe për të shpejtuar rihapjen e shkollave.
Por në një rihapje të përgjithshme, Biden u shpreh se nuk dihet se kur vendi do t’i rikthehet normalitetit. Guvernatori i Teksasit një ditë më parë lëshoi një urdhër ekzekutiv, që duke filluar nga 10 marsi, do të shfuqizojë shumicën e masave të koronavirusit që ai vendosi më parë në pandemi.
Greg Abbott ngriti rregulloren që urdhëronte njerëzit të mbanin maska dhe tha se bizneset do të lejohen të rifillojnë kapacitetin e plotë javën e ardhshme. Misisipi ka ndjekur Teksasin në heqjen e masave përfshirë edhe atë të maskave.
Shtete të tjera, përfshirë Michigan dhe Louisiana, gjithashtu kanë njoftuar zbutjen e disa rregullave. SHBA renditet e nënta për sa i përket vdekjeve për 100,000 banorë, pas vendeve të tilla si Britania e Madhe dhe Italia. Të paktën 90,000 amerikanë të tjerë pritet të kenë vdekur me virusin deri më 1 qershor, thotë një parashikim i Institutit për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit. Sipas hulumtimit deri në fund të majit, virusi do të vrasë rreth 500 amerikanë në ditë.