Kryeministri britanik, Boris Johnson tha sot se Britania e Madhe mund të jetonte shumë mirë me një “no-deal”, nëse negociatat tregtare post-Brexit me Bashkimin Europian, që vazhdojnë të kenë pengesa, nuk përfundojnë me një marrëveshje para fundit të periudhës së tranzicionit.
Britania e Madhe u largua zyrtarisht nga BE më 31 janar, por vazhdon të aplikojë rregullat europiane deri më 31 dhjetor.
Në mungesë të marrëveshjes tregtare deri në këtë datë, do të zbatoheshin vetëm rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe të detyrimet e larta doganore, me pasoja potencialisht shkatërruese për një ekonomi britanike tashmë të brishtë nga pandemia e koronavirusit të ri.
“Nuk dëshiroj veçanërisht që të përfundojmë në një marrëdhënie si ajo me Australinë ose të bazuar në rregullat e OBT, por ne mund të jetojmë shumë mirë me këtë”, theksoi sot Boris Johnson për BBC-në.
“Mendoj se ne mund të lulëzojmë fuqishëm në këto rrethana”, shtoi ai.
Kjo deklaratë erdhi ndërkohë që drejtuesi konservator ra dakord një ditë më parë me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen që Londra dhe Brukseli të intensifikojnë negociatat e tyre, që vazhdojnë të jenë pa rezultat në përfundim të seancës së nëntë të diskutimeve këtë javë, pavarësisht një afati gjithnjë e më të ngushtë.