Kompania amerikane Johnson & Johnson kërkon të certifikojë vaksinën e parë në botë me një dozë të vetme kundër Covid-19. Vaksina e kompanisë Johnson & Johnson sipas rezultateve paraprake të një studimi masiv ndërkombëtar, është e sigurt dhe ofronte mbrojtje të fortë ndaj rasteve të moderuara deri serioze me Covid-19.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) po u kërkon këshilltarëve të saj të pavarur të debatojnë publikisht mbi të gjitha të dhënat lidhur me vaksinën me një dozë, në të njëjtën mënyrë si konkurrentet e saj u analizuan deri në detajet më të vogla, para se të vendosë nëse do t’i hapë dritën e gjelbër një alternative të tretë në Shtetet e Bashkuara.
“Me një nevojë kaq jetike për ta vënë nën kontroll këtë pandemi, mendoj se nuk mund të injorojmë asnjë instrument të mundshëm për ta luftuar atë”, i tha Dr. Peter Marks, shefi i vaksinave të FDA-së Shoqatës Amerikane Mjekësore javën e kaluar. “Duhet të bëjmë të pamundurën për t’u siguruar që të identifikojmë grupet që do të përfitonin më shumë nga secila prej këtyre vaksinave dhe t’i përdorim ato në mënyrën më të përshtatshme“, tha ai.