Kryeministri britanik Boris Johnson ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen pasi vetë pala konservatore e partisë së tij iu vu kundër javët e kaluara.
“Është e qartë vendimmarrja e Partisë Konservatore që duhet të ketë një lider të ri dhe si pasojë një kryeministër i ri”, ishin fjalët e para të Johnson, që shtoi se ai do të mbajë postin deri në zgjedhjen e liderit të ri të partisë së tij.
“Kam rënë dakord me Sir Graham Brady, kryetarin e deputetëve tanë, që procesi i zgjedhjes së liderit të ri duhet të fillojë tani dhe orari do të shpallet javën e ardhshme. Dhe unë kam emëruar sot një kabinet për të shërbyer, siç do të bëj, derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri”, tha Johnson në një fjalim për mediat.
“Kështu që dua t’u them miliona njerëzve që votuan për ne në 2019, shumë prej tyre votuan për herë të parë. Faleminderit për atë mandat të jashtëzakonshëm. Shumica më e madhe konservatore që nga viti 1987”, shtoi ai.
Kulmi i krizës së ekzekutivit britanik dhe sinjali se fati i kryeministrit ishte i shënuar erdhi dy ditë më parë kur Rishi Sunak, ministër i financave dhe Sajid Javid, sekretar për Shëndetësinë dhe kujdesin social dhanë dorëheqjen brenda pak minutave mbrëmjen e së martës, me pretendimin se kishin humbur besimin tek Johnson, ndërkohë që të njëjtin shembull ndoqën edhe anëtarë te tjerë më të rinj të qeverisë.
Sipas burimeve, Johnson ka tentuar të zëvendësojë ministrat e dorëhequr por asnjë brenda partisë ka pranuar të sakrifikohej për një lider që tashmë shihet si i “shkurorëzuar”.
Opozita e brendshme ndaj Johnsson erdhi pas zemërimit për skandalin e festave në pandemi dhe pas neglizhencës ndaj akuzave kundër ish shefit të grupit parlamentar, Chris Pincher, për sjellje të pahijshme.