Jonida Maliqi të hënën niset për Suedi për tu përgatitur për Eurovision.
Këngëtarja do përfaqësojë Shqipërinë me këngën ‘Ktheju tokës’.
Jonida, e ftuar në emisionin Tempora në Ora News, u shpreh se do këndojë shqip ndërsa në këngë nuk do bëhem ndryshime.
Jonida Maliqi: “Po përgatitem fort. Do jem e vetme në skenë, sigurisht me back vokalet. Nuk do kem performancë me koreografi. Po punojmë shumë për pjesën vizuale, grafike. Do e këndoj shqip, nuk do ndryshoj asgjë përveç disa parametrave që i kërkon Eurosong. Të hënën nisemi në Suedi për të realizuar audion dhe mastermix-in e këngës. Jam shumë entuziaste.”
Këngëtarja shtoi se është shumë e sigurtë për prezantimin që do bëjë në Eurovision me ‘Ktheju tokës’.
Jonida Maliqi: “Jam shumë e sigurt për prezantimin në Eurovision me këtë këngë. Për një fakt shumë të rëndësishëm sepse sa herë e këndoj atë këngë emocionohem, kaloj në një tjetër dimension, një ndjesi emocionale të mrekullueshme. Ka një momenti në këngë dhe më duket sikur iki prek qiellin dhe zbres prap në tokë.”
Jonida u shpreh se fitimi i ‘Festivalit të këngës’ ishte surprizë e madhe për të
Jonida Maliqi: “Ishte befasi, një surprizë e madhe sepse unë prej kohësh isha shkëputur, jo se më vinte si pjesë e domosdoshme e kompeticionit pasi i kisha arritur deri diku qëllimet e mia. Qëllimet nuk janë vetëm trofetë që fiton ndër vite por edhe të qënurit gjatë gjithë kohës në garim, në kompeticion. Nuk doja të isha pjesë e kompeticionit, pasi nuk doja ankthe, siklete. Pasi dëgjova vijën melodike të kënduar nga Erjona pa tekst u emocionova. Ato dy minuta mishin e kisha mornica mornica.”