Extra Jorgjeta Lalazi, artistja korçare që mahniti jurinë dhe publikun e ”Gjeniut të...

Jorgjeta Lalazi, artistja korçare që mahniti jurinë dhe publikun e ”Gjeniut të Madh”

Serenata – kjo vashë e bukur, që të josh të prekësh, të ndjesh deri në shpirt ledhatimet e saj qoftë edhe një cast të vetëm e pastaj, le të përmbyset bota. Serenata – kjo lidhje shpirtërore e fenomenit me esencën e ndjenjave dhe lindur nga perëndesha e tyre: Dashuria! Ato në vetvete kanë një vënd të privilegjuar në jetën e përditshme të korcarëve – forma më perfekte, më e ndjeshme për të shprehur, mallin, dhimbjen, brengën, për të qetësuar shpirtin nga humbja e një dashurie, për të shpresuar se një tjetër dashuri lind, sikurse edhe hëna që është fshehur pas reve do ta nxjerrë patjetër diku përtej syckën e saj për të larguar lotët.

Serenatat janë hymni i veneracionit të dashurisë eternale. Sa herë i kthehem vëndlindjes, aq më shumë më shtohet malli për to, për t’iu bashkuar nostalgjikëve të pandreqshëm –serenatistëve të Korcës sime. Në një nga ato mbrëmjet e freskëta dhe të bukura, teksa shëtisja në shëtitoren “Republika”, të vendlindjes sime, -ndjeva tingujt e një serenate, që i sillnin të dridhurat e telave të një kitare. Ato tinguj nga telat sillnin ca fjalë të veçanta dhe të papritura, sic mban fshehur në shaminë e saj me lule një nuse që prindërit e kanë nisur ndërsa valon dasma. Fjalët i përcillte një zë melodioz, i ëmbël dhe sikur kishte mbledhur me një vështrim ëmbëlsirën e luleblirëve në të dyja anët e bulevardit: “Largohu, largohu, tjetri dashninë le ta japi,/I thuaj se ky është fund i lumturisë sonë,/Largohu se nuk jam ai që të lutem,/Megjithëse zemra vajton për dashurinë tonë…Edhe djall të ishe do të kishe rendur drejt atyre valëve me luleblirë, jo më një korcarkë që jam unë, që do ta jepja me hare cdo rrahje të zemër sime për të, që kjo Korcë të jetë përjetë, ashtu e qeshur, sic më pret kur vij apo siç e përmban veten, kur më përcjell me të qeshura dhe që unë i dalloj se janë lotë për mua. Serenata po më tërhiqte për mënge si një “sy i bukur dhe që të fton për aventura”. U ndala te kafeneja dhe qëndrova e shtangur, si një adoleshente e rënë në dashuri që ka bërë sakrifica gjithfarëshe të gjejë djaloshin që i shfaqet në gjumë, por që ja, nguron t’i hidhet në qafë, isha shtangur edhe unë, dashnorja qiellore e Korçës.

Në fund të shëtitores ngrihet madhërishëm një nga lokalet më të bukura e të vjetra të Korcës-me emrin simbolik të një lumi në Shqipëri :Valbona! Dikur ish- turizmi i vjetër i qytetit, – me një arkitekturë antike, dizenjimi, tarraca me kollonat prej mermeri, mirëmbajtur dhe rinovuar tashmë nga pronari i saj, Z.Piro Duka, – rrethuar nga pemët e blirit e të gështenjave të egra, fëshfërima e gjetheve që i ngjan gurgullimës së lumit dhe freskia e mbrëmjes që analogonte me ujin e freskët të bjeshkëve -aty ku rrjedh Valbona! Sapo lëshova sytë përqark, sikur vërvit pas flokët, ndjeva miqtë e mij që ishin magjepsur, ndërsa unë kisha harruar që ata ishin me mua. Zumë vëndet në tarracën nga ku shfaqej si në pëllëmbë të dorës shëtitorja dhe “Lëndina e lotëve”, surprizat dhe befasitë po më ndiqte ngado, aty ku dikur derdheshin lotët e nënave, nuseve të reja, dashnoreve e dashnorëve të përvëluar nga malli e dashuria, teksa përcillnin të dashurit e tyre në kurbet, – sot derdhen tingujt e magjishëm të serenatave. Para meje si me një të lëvizur të shkopit magjik, u cfaq fytyra ëngjëllore e bukur, dy sy plot shkëlqim si ai i blireve që vareshin nga degët e pemës, në qoshe të tarracës, i thirra kujtesës, për të sjellë ndërmend të kujt ishin ata sy larushë aq të bukur. Ajo qëndronte aty e hijshme e bukur, kryelartë, plot buzëqeshje si një “pupe” korçare, dhe këndonte …

Ishte artistja korçare -, Jorgjeta Lalazi- apo si e përkëdhelin bashkëqytetarët e saj-“Lalazka e vogël”. U mrekullova, mikja ime e fëmijërisë ishte ringritur, e kishin ngritur serenatat e Korcës, këto magjistarka zemërpërvëluara për pak dashuri dhe që kanë dashuri më shumë se askush tjetër në këtë botë të egër, e bukura e Korçës së rinisë sime! Ajo kishte hapur “sëndyqin e vjetër të serenatave”-të LALAZËVE- një familje muzikantësh që në gen. Kjo ishte arsyeja që të fundit e fëmijëve të mjeshtrit, muzikantit, dirigjentit të talentuar, një nostalgjik i pandreqshëm i muzikës, Raqi Lalazi, -vajzën e tij-e thërrisnin: ”Lalazka e vogël”. Artistja korcare u lind me muzikën, u rrit me muzikën, dhe jeton me muzikën.

Jorgjeta Lalazi, rrjedh nga një familje nga më të vjetrat autoktone korcare, të parët e tyre nga babai, pikërisht xhaxhai i babait të artistes korçare -Pando Leka Polena e kushërinjtë hapën kazinonë e parë në qendër të qytetit të Korçës, po, po, kazino e hapën ata. Në mjekësi, do të shkëlqente Dr.Prof.Stavri Leka, Drejtor i senatoriumit të Tiranës, ndërsa në muzikë artistja veterane dhe e talentuar Dhora Leka, poetesha Zhuljana Jorganxhi, apo kompozitori, Gjergji Leka. Rrënjët e tyre të pemës fisnore kanë përzjerje gjaku korçare e voskopojare nga babai, ndërsa nëna nga Vithkuqi, një familje patriotike e intelektuale. Gjyshja e Jorgjetës-Afroviti-një “mjeke” popullore ndihmonte nënat e reja të lindnin fëmijët –bekonte fëmijët e dashuritë e papërligjura. Me mjaltin e ndërtuar ka shëruar me qindra të rinj nga tuberkulozi, kjo përzjerje genesh e talentesh, kishte krijuar karakterin e fortë të Lalazëve. Muzika ishte dhunti e talent i lindur nga Zoti, në familjen e tyre, Raqi Lalazi një pasionant i muzikës, zotëronte të gjitha veglat muzikore. Lidhjet e forta të gjakut me xhaxhallarët e kushërinjtë në kurbet, – në Amerikë, nga ku ai mundi të siguronte veglat muzikore që nga mandolina, fyelli, kitara, fisarmonika etj. Kur kaloje pranë shtëpisë së Jorgjetës, në anë të lumit, -që kalonte në mes të qytetit të Korcës, nga ku dlloheshin edhe tre urat, – gurgullima e ujit të tij, e humbiste zhurmën, teksa dëgjoheshin tingujt e mandolinës e të fyellit të Lalazëve. Të krijohej ideja dhe ndjesia se aty mbretëronte lumturia. Raqi Lalazi, – babai i Jorgjetës i donte shumë fëmijët, dhe cifti Lalazi, -për të mbajtur oxhakun hapur lindën gjashtë fëmijë –pesë cupa e një djalë, të gjithë i shkolluan, të gjithë muzikantë dhe të gjithëve iu dha këshilla të vyera për të ecur në jetë: -Sinqeritetin!

-Të mos ndryshoni karakterin deri në ditën që mbyllni sytë, ndihmoni njerëzit në nevojë!

Dhe, si për t’ua treguar mënyrën, sekretin e forcës për të mbajtur tërë jetën si hajmali të shenjta këto tre pika, ai pati dhënë edhe këshillën e fundit:

-Kurrë mos ndalni së kënduari edhe serenatën.

Ja si shprehet artistja korçare për të atin:

”Ishte aq i apasionuar pas muzikës sa edhe në moshë madhore nuk pretendoi se çfarë pune bënte, babai bënte cdo lloj pune të rëndomtë, gjithmonë me qëllimin e mirë të na rritëte ne dhe të trashëgonte muzikën te ne. Me mandolinën dhe zërin e babait, harronim dhimbjet, streset e ditës, ato vuajtjet, sakrificat dhe sfidat në të përditshmen njerëzore. Në shtëpi krijohej, një kor “rus”, ku sa veta kishte e ëmbla shtëpi, aq zëra kishte dhe secili -në antitezë, – sa të kujtonte koret e famshme ruse, padashur të përmend nostalgjinë ruse.” Belbëzimet e para të notave muzikore i ka bërë që fëmijë 6 muajshe, me guitjet foshnjore: “Më vinin të flija me tingujt e vargjet e një kënge-(këtu artistja korcare fillon të këndojë ):

“Nëqoftëse të kujtohet ,/e kujton me marraz,/një grua që të do,/Dashuria ime!”

Në repertorin e korit “Lalazi”, këndoheshin, vec serenatave të reja, natyrisht, edhe këngë e vjetra korcare, greke, italiane, spanjolle, ruse, etj. Në rast se dikush nga fëmijët stononte apo bënte gabim, gjatë të kënduarit, jo vetëm që shikohej shtrembër, por edhe ndëshkohej, nga vetë fëmijët: qëllohej lehtë me lugë në kokë, apo – të mos këndonte një javë, megjithëse ishte i nevojshëm e i domosdoshëm. “Seç na del një zë i ëmbël fëmije “ – flitej ndër Lalazët. Ajo ishte “Jorgjetka me dhëmbët si qershicka”. Hymni i familjes ishte “Nabuko” e Verdit, Konstandin Lalazi, (vëllai i artistes) flinte me Verdin edhe ai ka kënduar për herë të parë këngën spanjolle “Dëgjoje këngën time”, që prej asaj dite Koco Lalazi thërritej “Hoselito”. Artistja korcare Jorgjeta Lalazi për herë të parë në skenë ka kënduar një këngë ruse për fëmijë, një fabulë me titullin “Sharra në gozhdë”. Kur u rrit, filloi t’i binte mandolinës dhe kur e pyesnin secila është X –këngë, Jorgjeta i përgjigjej me këngën përkatëse, ajo gjithashtu dilte dhe këndonte me shokët e babait, nga parku kombëtar i Shetros, skërkat në malin e Moravës, dhe në vreshtat e Lalazëve. Këndonin këngët me kitarë, mandolinë, fyell e violinë dhe nuk ndjenin të ngopur, këndonin derisa rrëzoheshin edhe gjethet e fundit të vjeshtës dhe nga qielli i Korcës qe larguar lejleku dhe dallëndyshja e fundit. Ndërkohë, – te vasha e re korcare po ndjehej edhe doza e fanatizmit të kohës, pamvarësisht këngës që ajo nuk i ndahej, Artistja korcare, Jorgjeta Lalzi e njohur si “Lalazka e vogël” këndonte fshehurazi në shkollë. Ata që e adhuronin muzikën ngrinin që nga shpirti edhe pjesën e tij prej demoni – rrjetën e fanatizmit, të thashethemve, si hekurat e qelive. Në klasën e parë fillore merr pjesë në festivalin e fëmijëve, me këngët “Nina Nana” dhe “Lirka Partizane”, ku fitoi Cmimin e Dytë në me tekst të Pavllo Shollës, e muzikë të Gaqo Bajlozit dhe Haig Zaharianit….

Dhe…

Mosha e artë e fëmijërisë duhej të mërgonte edhe ajo dhe korcarka e mbylli atë në Festivalin e Fëmijëve të Shkodrës ku trioja korcare: Subashi-Lalazi-Balashi fitojnë “Cmimin e Parë”.

Me lot ndër sy artisjta shprehet për profesorët dhe miqtë e saj të fëmijërisë që nuk jetojnë më. Në kujtim të tyre ajo zë e këndon një serenatë, si një homazh, për Prof. Ilo Evro, Tasi Poda, Prof.Vangjel Borova, Apostol Simoni, etj. Nuk lë pa përmendur edhe kolegët e saj, të hershëm që janë ndarë para kohe nga jeta, si vëllezërit Arsen e Ilir Buzali, Bukurie Kalemin, apo ata që sot rrjedha e jetës i ka dërguar në atdhe e rrugëve të botës si: Prof.Josif Minga, Alma Subashi, Dhimitra Trëndafilin, Nonda Kajnon, Astrit Kocibellin, Skënder Manen, Seit Furxhi, Adrian Jorgjin, Hatixhe Gedaj, Astrit Zegullaj, Antoneta Shanon, Mihallaq Andrean, këngëtaret e talentuara, pjesëmarrëse të disa festivaleve në Radio Televizion, si Elektra Hasimi, Zhuljeta Demce, Lazarela Detin, Mirela Tashon, Emil Bibollin, Zhani Suljotin etj. Artistja korcare me dashurinë, pasionin, talentin, shpirtin artistik e intelektual do të vazhdonte të këndonte në gëzime e ambiente familjare. Familja Lalazi me përfaqësuesin e tyre, Edmond Lalazi, do të rreshtohej e para, kur u krijua filarmonia në Korcë, Artistja korçare, përzgjidhet, për të kënduar me korin “ Lira” të qytetit.

Në vitin 1972, me një luftë të madhe, jashtë dëshirës së familjes, për shkak të kushteve të rënduara ekonomike, fiton konkursin për në Liceun Artistik, porse në pamundësi për ta përballuar në Tiranë, Jorgjeta fillon studimet në Shkollën e Mesme të muzikës, “Tefta Tashko Koco”, në Korcë.

Jo vetëm këngëtare –por edhe aktore.

“Një aktore për fëmijë e lindur “ -do të shprehej rregjisorja shpirt-madhe dhe e talentuar korçare e Teatrit të Kukullave, Drita Kallamata, teksa e mbështeti Jorgjeta Lalazin të punonte në këtë institucion si një imituese e zërit fëminor.

Në këtë kohë, artistja korcare pëson një traumë shpirtërore, divorcin me bashkëshortin, porse dora e ngrohtë, si prej nëne e të mirës e të mrekullueshmes Drita Kallamata, e mbajtën pranë për t’ja lehtësuar dhimbjen. Së bashku me aktorët e tjerë korcarë, si Emil Bibolli, V.Nico, Piro Qirjo dhe Lela Agushi, u kanë dhënë frymë e jetë dhjetra personazheve në teatrin e kukullave. Tashmë “Lalazka e vogël” kishte krijuar profilin e saj si artiste: Këngëtare dhe Aktore!

Dhe erdhi dita e largimi nga Korça, me hapjen e Shqipërisë me botën jashtë, ashtu si shumë bashkëqytetarë të saj, Jorgjeta largohet për në Greqi. Fillon të bëjë punë të rëndomtë si larje pjatash, apo pastrim shtëpijash, si gjithë emigrantët e tjerë ekonomikë.

“Teksa laja pjatat në restorant, këndoja, pronari i restorantit më dëgjoi e pas disa provave fillova të këndoja në bozuqe., këndoja këngë të vjetra greke të trashëguara nga babai. Pata suksese jo vetëm në promovimin e vlerave si këngëtare, por ekonomikisht e shpirtërisht, kur shprehem shpirtërisht, -lehtësonim dhimbjen, sakrificat sfidën e kurbetit, të mospërkrahjes nga shteti, dhe lartësonim krenarinë shqiptare, i kundërviheshim asimilimit tonë.”

Mirëpo, sikurse dallëndyshja kthehet në folenë e vjetër, në atë të parën, edhe korçarja që këndonte e fitonte bozuqeve, erdhi dita që të kthehej edhe një herë -të kthehej atje-nën kurorët e blirëve të Korçës.

E nxitur dhe më këmbënguljen e mbesës së saj, Aurorës- e cila është një menaxhere dhe kritike e repertorit të këngëtares, – Jorgjeta Lalazi kthehet në vendlindje, në Korcën e saj të bukur. Ngado shkoja më tingëllonin fjalët e Aurorës, do të shprehet artistja: “Mjaft lave pjata, a nuk e ndjen “thirrjen e erës së gjakut”, që të thotë të kthehesh në atdhe, ringrihu, këndo, jepi jetës gjallëri, atë që ti e mban përbrenda jepja Korcës së Korça të do e ka shumë nevojë për ty, zërin dhe talentin tënd.” Fillimisht takon lidhjet e saj të dikurshme, familjen Konopulli, disa elementë artiste tejet të vyer që me dashamirësinë për artin, kulturën, Korcën, muzikën, dhe serenatën, i shtrinë dorën e ngrohtë, duke njohur dhe promovuar talentin e artistes- e ndihmojnë për të ringjallur jo vetëm veten, por edhe serenatën, muzikën, këtë perlë të Korcës, për ta kthyer vëndlindjen e saj të dashur në identitet. Jorgjeta Lalazi hap sëndyqin e serenatave dhe i këndon cdo natë ato, duke iu falur kënaqësi e argëtim shpirtëror, korcarëve, shqiptarëve dhe turistëve të shumtë që vizitojnë qytetin e Korcës.Tashmë ajo ka krijuar individualitetin si një këngëtare e talentuar dhe profesioniste. Artistja korcare që lë Korcën pa gjumë, Artistja e cila brenda një nate, ka arritur të këndojë, -150 serenata. Një shpirt njeriu dhe një Artiste dinjitoze që ia ka dale të nxjerrë nga sepetet e shpirtit artistik, 150-shpirtëra korcarë të derdhur në njëqind e pesëdhejtë serenata, dhe që të gjitha i ka kënduar LIVE!

Era lëkund gjethet e blirit…Kalldrëmet e Korçës janë intimë, si gjiri i nënës …Korçarët ecin nëpër hallet e tyre përditë dhe fluturojnë brenda një çasti sapo ndjejnë aromën e serenatave diku, Jorgjeta Lalazi, mikja jonë shpirtëmbël dhe Artistja korcare me atë zërin e ëmbël si bilbil që ia ka dërguar perëndia në shpirt për t’u pasur zili, kjo buqeta e bukur e artit, muzikës dhe shoqërisë, e Korcës dhe korçarëve tashmë vazhdon të këndojë në dhe në skenat e Shqipërisë, brenda dhe jashtë saj, tashmë edhe në skenën e “Gjeniu i madh”, në Vizion Plus. Kur artistja korçare doli në skenë një kor duartrokitjesh sikur solli në vete Jurinë dhe publikun real dhe virtual e Vizion Plus. të gjithë morën frymë lirisht. Jorgjata bëri hapa para në skenën e “Gjeniu i Madh” bashkoi duart dhe u përkul para Jurisë dhe publikut. Përsëri duartrokitje dhe më pas mbizotëroi një heshtje e thellë, Orkestra e band-it e drejtuar nga i talentuar Altin LLakaj, filloi melodinë e këngës spanjolle të Hoselitos së famshëm. Ndërkohë, Juria dhe publiku e show-t televiziv “Gjeniut i madh” do të rrinin të magjepsur dhe të hipnotizuar nga ai zë melodioz i Artistes së talentuar korcare, Jorgjeta Lalazi, teksa ajo këndonte këngën spanjolle “Dëgjoje këngën time” e njohur njohur ndryshe edhe si kënga e Hoselitos së famshëm, dhe më pas ata do të brohorisnin dhe duartrokisnin gjatë nën thirrjet “Bravo, bravo” atë oshëtimën, bukurinë dhe madhështinë e atij zëri të ngrohtë, fluid, me intonacione të gjata, duke u ngritur lart note pas note, një gjerësi frymëmarrjeje që ndienin dhe e përjetonin në vokalin e papërseritshëm të Artistes! Mua që ndiqja Show-n nëpërmes TV më ka ndelur në mendje ai zëri i Jorgjetës teksa këndonte “Hoseliton”, një zë mrekulli, një marramenth, një hon dallgësh, që ta rrëmbente shpirtin e ta përplaste lehtë në brigjet, aty ku gurgullojnë lumenjtë! Artistja këndon cdo mbrëmje te Pazari i Korçës një nga monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit të Korçës, e cila bie në sy një nga ndërtesat me të bukura dhe me të vjetra të pazarit, “Hani i Pazarit” Botique Hotel. Në sfond dëgjohet zëri i Artistes Korcare dhe i kolegëve që e shoqërojnë; Gjergji Terezi, Kristaq Fermani, Zhulio Morava, Kristi Sherko, Theofan Melko dhe Mjeshtëri i Talentuar i klarinetës dhe fizarmonikës, i mirënjohuri Zhani Struga…

“Kur nata Korcën e mbulon/kafenetë mbushen plot,/aty qan zemra ime e vajton,/e raki kërkon…/do t’vij, do t’vij o xhan,/se zemra po më qan,/do të vij o shpirti im,/zjarrin e zemrës ooo,/Ta shuaj me dashuri….

Raimonda Moisiu

Author/Freelancer

Jacksonville, Florida USA