Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro për ndryshim të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Kjo vjen dy ditë pasi SPAK mbylli hetimet për Jorgo Goron dhe 4 persona të tjerë lidhur me 2 raste tjetërsimi pronash në jug të vendit. Ndaj Goros rëndojnë veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së pasurisë.
Sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me Jerasimo Bashin, ish-Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
Në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Krahas Jorgo Goros dhe Jerasimo Bashit, nën akuzë janë dhe pronari i pronës së bashku me dy ish-zyrtarë të tjerë.
Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën ndërsa për pronarin përfitues rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve. Ndërkohë që vetë ish-kryebashkiaku i Himarës, Goro nuk ka pranuar akuzat që rëndojnë mbi të.