Nisi me një fitore bindëse aventura e Mirel Josës në stolin e Kukësit. Verilindorët regjistruan suksesin e tretë radhazi pasi triumfuan në transfertën korçare ndaj Skënderbeut me rezultatin e thellë 0-4 në një ndeshje të dominuar nga fillimi në fund. Agim Ibraimi dhe Vesel Limaj i dhanë avantazhin e dyfishtë Kukësit pas vetëm 7 minutash lojë. Pas diçka më shumë se gjysmë ore lojë mesfushori brazilian Matheus Leiria një nga më të mirët në fushë për Kukësin shënoi edhe golin e tretë duke vulosur fitoren e skuadrës së Josës. Në pjesën e dytë pati vend edhe për golin e 4-t të miqëve që u shënua sërish nga Vesel Limaj. Me këtë fitore Kukësi u ngjit përkohësisht në vendin e 4-t me 26 pikë me Josës që nuk pati mëshirë në debutimin ndaj skuadrës ku ka bërë historinë si trajner duke e lënë në vend të fundit Skënderbeun.
Mori një fitore jetike në garën për mbijetesë edhe Kastrioti që mposhti minimalisht 1-0 Bylisin në Kamëz me një supergol të Dacit në minutën e 51-të. Me këtë sukses skuadra e Ndreut u ngjit në vendin e 6-të duke parakaluar në renditje pikërisht Tiranën.