E përditshmja franceze L’Equipe del me një titull të bujshëm që intrigon dhe lë vend edhe për aludime, duke qenë se shtrohet si një pyetje më shumë se afirmim. “The Special Ligue 1?”, shkruan prestigjiozja L’equipe, me teknikun portugez, Jose Mourinho, që po asociohet gjithnjë e më shumë me Ligën e Parë.
Është vetë 56-vjeçari Mourinho, që ka lënë vend për ta shtruar këtë debat, duke qenë se kohët e fundit jo vetëm që ka dalë më deklarata të shpeshta, ku pohon rikthimin në detyrë në një ekip prestigjioz brenda kësaj verë, por e orienton të ardhmen e tij drejt një prej skuadrave të kampionatit francez. Trajneri i suksesshëm dhe kontrovers, vlerësoi hipotezën për të marrë një prej skuadrave franceze, edhe pse nuk ka folur me emra të përveçëm. Gjasat janë që ai të mos ulet në stolin e PSG-së, pasi pozitat e Thomas Thuchel vijojnë të mbeten të forta.
“Nëse do të thosha që nuk qëndron fakti se mund të marrë drejtimin e ndonjë prej skuadrave franceze, atëherë nuk do të isha i sinqertë me ju. Nëse them po, atëherë të gjitha mediet do të shkruajnë se do të ulem në stolin e kampionëve të Ligës së Parë, duke mbyllur hapësirat për klube të tjera franceze, ndaj e lë të hapur opsionin, pa lakuar emra specifikë,” – deklaroi Mourinho.
Për të vijuar me logjikën e tij, e përditshmja L’Equipe jep dhe alternativat e Olympique Lyonit apo të Monacos, si dhe të Lille e Montpellier. Fakti që Franca po përmendet kaq shumë për të ardhmen e portugezit ndoshta mund të rezultojë vërtet e ardhmja e Mourinhos, edhe pse nuk përjashtohet edhe ndonjë rikthim i tij në Premier League, La Liga apo në Serinë A.