Policia e Tiranës ka arrestuar një 59-vjeçar me akuzën e ngacmimit seksual dhe trafikim i të miturve. Musa Çerpja sipas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, mashtronte vajza të adoleshente me qëllim përfitimin seksual.
59-vjeçari i dënuar më parë për ngacmim seksual, nëpërmjet telefonit dhe rrjeteve sociale, joshte vajza, kryesisht të mitura, me qëllim përfitimin seksual.
Policia dhe Prokuroria arritën që të bënin të mundur identifikimi në kohë duke parandaluar kryerjen e veprimeve të mëtejshme nga i arrestuari me të miturat.
Çerpja u kap në kushtet e flagrancës, pasi kishte organizuar një takim me një vajzë të mitur. Gjatë këqyrjes së celularit të tij, janë gjetur prova komprometuese.
59-vjeçari është arrestuar dhe në vitin 2016 pas atentatit ndaj një biznesmeni me eksploziv. Në fund të hetimeve, ai u dënua me 8 muaj burg për pengim të zbardhjen së ngjarjes dhe për shitje të paautorizuar të kartave SIM pasi në pakon që nuk shpërtheu u gjet një numër telefoni i blerë prej tij.