Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikoi të martën vendet evropiane dhe perëndimore për mbrojtjen e organizatave “terroriste”, duke përfshirë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe lëvizjen e imamit Fethulhah Gulen, i cili ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara.
“Ndërsa ne po shkatërrojmë foletë e terrorit, anëtarët e organizatave terroriste kanë ngritur hapur kampe për veten e tyre në disa vende të tjera. Vrasësit që derdhën gjakun e qytetarëve tanë pranohen pothuajse në të gjitha vendet e Europës, veçanërisht në kampin e Lavrionit në Greqi. Ata mund të ecin lirisht atje”, tha ai në një tubim në selinë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Turqi në Ankara.
Këto deklarata të Erdoganit erdhën një ditë pasi një polic u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm të PKK-së në një stacion policor në provincën jugore turke të Mersinit.
Erdgoan lëshoi një paralajmërim serioz edhe ndaj Greqisë. Duke dënuar atë që e konsideroi “pushtim të fshehtë” të ishujve Lesbos dhe Samos, ai akuzoi shtetin fqinj se ka shkelur ligjin ndërkombëtar me vendosjen e automjeteve të blinduara në ishujt e Egjeut.
“Armët e grumbulluara në Trakinë Perëndimore dhe në ishuj nuk do të thonë asgjë për ne, sepse fuqia jonë është shumë mbi to, por ju kujtojmë se kjo do të thotë pushtim i fshehtë”, tha ai.
Erdogan tha se Turqia nuk dëshiron që Deti Egje dhe Deti Mesdhe të mbulohen me gjak, lot ose me armiqësi.
“Ne duam paqe dhe qetësi”, nënvizoi presidenti turk. Ai shtoi se Greqia nuk është e barabartë me Turqinë, sa i përket fuqisë ushtarake dhe kërcënoi se fqinji do të zhytet në moçal në rast të një konfrontimi.
“Kjo është një lojë e rrezikshme e politikanëve, shtetit dhe popullit grek, dhe i atyre që i përdorin ata si kukulla”, përfundoi Erdogan.