Kryeministri Edi Rama, bashkangjitur një videoje, ka kërkuar vëmendje për të dëgjuar historinë e një pacienteje e cila u infektua dhe fitoi luftën me Covid-19.
Rama thotë se kjo nuk është një lojë me një virus që nuk ekziston, por një luftë e vërtetë, ndërsa bën apel për të mos e neglizhuar.
“Ju lutem shikojeni këtë nënë shqiptare. Nënë Engjëllushja, mund të ishte nëna e secilit prej nesh, e cila u kthye në jetë pasi pa vdekjen me sy në gjendjen e rëndë ku e futi Armiku i Padukshëm!
Prandaj ju lutem ta shohin e ta dëgjojnë, në radhë të parë ata këtu, që thonë virusi nuk ekziston dhe kërkojnë liri për t’u infektuar e për të infektuar, largqoftë, nënat e baballarët e tyre!
Në radhë të dytë, ta dëgjojnë ata që akoma nuk mësuan të respektojnë mjekët, infermierët dhe sistemin shëndetësor të transformuar rrënjësisht, e që nuk duan ta kuptojnë se mosozot po të kishte ardhur kjo flamë para ca vjetësh, këtu do ishte bërë kasaphanë.
Pastaj ta shohin e ta dëgjojnë këtë nënë edhe gjithë të tjerët dhe ta mbledhim mendjen top të dashur miq, se kjo nuk është lojë dhe për ta fituar deri në fund këtë luftë, duhet të bëhemi secili prej nesh roje e shëndetit tonë e të atyre që kemi përreth”.