Nga Mero Baze
Në Shqipëri, por dhe në Kosovë, ka shpërthyer një debat sa idjot, aq dhe identifikues për frustrimet e shoqërisë sonë, lidhur me ata shqiptarë që vijnë në atdhe dhe ata që ikin prej atdheut, krejtësisht për nevojat e tyre.
Vala e parë e shpërthimeve gjysmë raciste gjysmë provincial, vjen çdo fillim vere, kur shqiptarët përgatiten të presin emigrantët që kthehen për pushimet e verës. Në Kosovë kjo kalopi gati në rracizëm ndaj tyre, për shkak të disa emigrantëve kryesisht nga Zvicera, që “zgjidhen si qeni nga zinxhiri”, dhe u janë lëshuar autostradave të Kosovës me 200 në orë, duke bërë kërdinë në aksidente dhe vdekje të dhimbshme. Pastaj debati u trash aq shumë, sa u krijuan gati dy kampe të cilët nuk flisnin më për marrëzinë e pesë gjashtë idjotëve në trafik, por për vlerat kombëtare të diasporës dhe vendasve.
Në Shqipëri ky debat është konsumuar më herët dhe ka qenë kryesisht me emigrantët e kthyer nga Greqia të cilët për shkak të patentave me shumicë fallco që kanë pas blerë në Sheshin “Omonia” , kur vinin në Kakavijë, hiqnin rripin, I jepnin gaz makinës dhe I gjeje në kanalin e pare, pa shkuar në Ballsh.
Kjo situatë natyrisht ka ndryshuar dhe në këto ditë të nxehta vere është zëvendësuar me një trend të kundërt, por edhe më qesharak, me ata që duan të ikin nga Shqipëria.Mes tyre ka dhe njerëz të suksesëshëm, pjesërisht të suksesëshëm dhe aspak të suksesëshëm, por dhe mitomanë që duan të vihen në qendër të vemendjes apo femra në menopauzë që duan vemendje. Probemi është se të gjithë janë gati të merren me ta, edhe pse shumë prej tyre është hera e parë që dikush I merr seriozisht në jetë.
Së pari duhet të biem dakord, se të qëndruarit në Shqipëri, të jetuarit në Shqipëri, apo dhe të dështuarit në Shqipëri, nuk duhet të paraqitet si “donacion” për Shqipërinë, duke e futur Shqipërinë në borxhë, se ti merr frymë, dështon apo ke sukses këtu. Po njësoj dhe largimi nga Shqipëria nuk është disidencë dhe as ndonjë status special, për këdo që ikën. Secili duhet të gjej veten e vet atje ku mund. Përpjekja për ta paraqitur dështimin personal apo profesional në Shqipëri, si një akt disidence ndaj pushtetit, është banale dhe rrezaton më shumë arsyet pse nuk ja ke dal në këtë vend.
Shqiptarët janë një komb që shumcia e tyre jeton jashtë trojeve amtare për shkak se ky vend nuk I ka mbajtur dot kurrë bijtë e vet këtu. Ata nuk janë as heronjë, as tradhëtarë, por njerëz që kanë gjetur suksesin e tyre jashtë Shqipërisë.
Dhe Shqipëria do të ketë në gjithë historinë e saj emigrant. Do ketë brez pas brezi valë emigrimi, që ikin dhe një pjesë që rikthehen për të vazhduar suksesin e tyre në Shqipëri.
Ky vend kështu është bërë. Po të mos ishte Greqia dhe Italia, ne nuk do kishim sot mijra specialist të shkëlqyer ndërtimi, turizmi guzhine, dhe shërbime të tjera. Emigrimi në vendet fqinje u bë një shkollë e madhe për shqiptarët që u ritkthyen dhe ndryshuan Shqipërinë.
Historia e Shqipërisë është e mbushur me shkëlqimin e njerëzve të suksesëshëm të saj, që u bën të tillë jashtë Shqipërisë. Janë ata që bën Shqipërinë, që e mbajtën në ditë të vështira dhe ja dolën ta kthejnë në shtet. Janë emigrantët tanë ata që I mbajtën frymën gjallë Shqipërisë në vitet 90-të dhe është Greqia dhe Italia dy vendet tona fqinje, që me hapjen e kufijve, I siguruan Shqipërisë egzistencën e saj pas kolapsit të vitit 1990.
Shqiptarët që kanë çarë malet me dëborë dhe detet për të mbijetuar, janë heronjtë e familjeve të tyre, të shoqërisë sonë dhe natyrisht të Shqipërisë. Të tillë janë dhe njerëzit e talentuar të Shqipërisë që kanë bërë emër në botë.
Por ky debat mbaron këtu.
Herë herë Shqipëria është e tillë që nuk të mban dot. Ndonjë herë si në vitin 1990 nuk mbante dot thuajse asnjë njeri. Më vonë u bë më mirë. Tani ka plot njerëz që nuk e gjejnë më veten këtu dhe largohen, siç ka të tjerë që kthehen, provojnë të bëjnë nje jetë në atdhe, herë herë zhgënjehen, e ikin prap.
Por Shqipëria mbetet këtu. Kosova po ashtu. Si dy vende që mbijetojnë më shumë nga ata që vijnë dhe i japin këtij vendi se ata që nuk marrn dot gjë e ikin, ato u janë mirënjohës, sidomos emigrantëve.
Ndaj bëni kujdes, mos e quani “nder për Shqipërinë” kur ktheheni në atdhe dhe mos e mallkoni kur ikni. Se kjo nuk është një histori e re, por e vjetër sa Shqipëria. Mençuria popullore ka një fjalë të urtë për këtë: “Ju që vini na nderoni, ju që ikni na gëzoni”.