Një sulm i paprecedent dhe i padëgjuar më parë konsiderohet ai i Izraelit ndaj organizatës së Hezbollah që mbështetet nga Irani. Të martën, me mijëra pajisje të vogla komunikimi, të njohura si “biper” që përdoren nga anëtarët e Hezbollahut në Liban u shpërthyen njëkohësisht duke shkaktuar 9 të vrarë dhe rreth 2800 të plagosur.
Edhe pse zyrtarisht Izraeli nuk e ka marrë përsipër sulmin, CNN dhe të tjera media ndërkombëtare raportojnë se është pikërisht inteligjenca izraelite MOSSAD që fshihet prapa këtij organizimi.
Sipas CNN, ka qenë gjithçka e planifikuar prej disa muajsh nga MOSSAD-i dhe ushtria izraelite.
New York Times ka raportuar se anëtarët e Hezbollah kishin porositur këto pajisje të vogla komunikimi prej kohësh. Izraeli e kishte mësuar këtë gjë përmes shërbimeve të inteligjencës.
Porosia ishte bërë në një kompani në Tajvan. Operativë të Izraelit kishin arritur që të vendosnin brenda këtyre pajisjeve një sasi të vogël eksplozivi dhe një çelës për ta shpërthyer në distancë. Dhe kështu ndodhi. Të gjitha këto pajisje që ishin në duart e anëtarëve të Hezbollah shpërthyen në të njëjtën kohë, rreth orës 15:30 sipas kohës lokale ditën e martë në Liban.
Cili ishte qëllimi dhe mesazhi i sulmit? Analisti i sigurisë John Miller tha për CNN se Izraeli kishte për qëllim të përcillte këtë mesazh për anëtarët e Hezbollah: “Ne mund t’ju arrijmë kudo, në çdo kohë, në ditën dhe në momentin që ne duam dhe mund ta bëjmë atë me shtypjen e një butoni”.
Nga ana tjetër, Hezbollahu është zotuar të hakmerret ndaj Izraelit për këtë sulm masiv. Edhe Qeveria e Libanit e dënoi ngjarjen duke e konsideruar “agresion kriminal izraelit”.
Ka reaguar edhe kompania tajvaneze e këtyre pajisjeve të komunikimit, duke thënë se nuk është e përfshirë në këtë sulm, por se prodhimi i tyre ishte bërë nga një kompani europiane në Hungari.
Edhe një zyrtar i lartë i sigurisë në Tajvan tha për CNN se vendi i tij nuk ka dijeni dhe as të dhëna për këto pajisje që janë dërguar në Liban ose Lindjen e Mesme.