Aktualitet Juglindja mbulohet nga dëbora, izolohen fshatrat e thellë në Korçë

Juglindja mbulohet nga dëbora, izolohen fshatrat e thellë në Korçë

Reshjet e borës kanë përfshirë të gjithë zonën juglindore të vendit. Reshjet më intensive kanë qenë në lartësitë mbi 1500 metër mbi nivelin e detit.

Në Dardhë trashësia e borës ka arritur në 30 centimetër, në Voskopojë 10 centimetër dhe po kaq edhe në zonat e tjera të thella malore të qarkut.

Rrugët nacionale janë të hapura dhe të qarkullueshme normalisht. Segmenti nga kilometri i 7 deri në hyrje të fshatit Dardhë është i kalueshëm me zinxhirë.

Si pasojë e motit të keq kanë mbetur pa energji disa fshatra të thellë në zonën e Mokrës në Pogradec dhe Maliq.

Ndërsa në fshatin Panarit të Njësisë Administrative Vithkuq bora ka arritur në 40 centimetra. Rruga drejt fshatrave të tjerë është e bllokuar. Pritet ndërhyrja nga Bashkia e Korçës.