Pushimet në Jug këtë vit janë më të shtrenjta se asnjëherë. Vlora, Saranda dhe zonat përreth tyre po përballen me një rritje të ndjeshme si te strukturat akomoduese ashtu dhe baret e restorantet. Sipas një vëzhgimi nga Revista Monitor, çmimet në strukturat akomoduese si shtëpitë me qira ditore dhe hotelet janë rritur me 25-30%.
Kjo rritje është konfirmuar edhe nga operatorët e tregut, të cilët deklarojnë se të gjitha çmimet, si të akomodimit ashtu dhe të ushqimeve e bar-restoranteve janë së paku 20% më të shtrenjta se një vit më parë.
Operatorët turistikë shpjegojnë se në fillim të sezonit, kërkesa e lartë çoi në rritje të çmimeve, një tendencë që u vlerësua si normale për sa kohë që nxitej nga fluksi i lartë i turistëve. Megjithatë, më vonë me afrimin e verës u vërejt një rritje tjetër e çmimeve në pritje të një numri të lartë turistësh, që realisht nuk po ndodh.
Ka më shumë turistë të huaj se një vit më parë, por gjithsesi jo aq shumë sa pritej, nisur nga tendenca e fillim vitit. Kjo rritje e dytë e çmimeve nga operatorët turistikë konsiderohet disi spekulative e nxitur nga etja për fitime të shpejta, që nga ana tjetër po largon turistët, sidomos ata vendas. Heqja e vizave ka bërë dhe që edhe shtetasit me aftësi paguese të Kosovës, që më parë shkonin në Jug, të ikin drejt Greqisë.
Vlora, jo më lirë se 55-60 euro/nata
Nëse vitin e kaluar, mund të gjeje një apartament në qendër të Vlorës për 40 euro për natë, këtë vit, kjo është e pamundur. Në një kërkim të thjeshtë në platforma të njohura si Booking apo Airbnb për një natë korrik 2024 në qendër të Vlorës, çmimi i akomodimit më të lirë dhe më i përshtatshëm është rreth 60 euro për natë.
Gjithashtu, nëse kërkohet të qëndrohet në zona të tjera të Vlorës si Radhimë apo Orikum, të njohura për plazhet e tyre familjare dhe për çmime më të përballueshme, një apartament me qira ditore mund të kushtojë rreth 60 euro në natë.
Çmimet në hotelet e kategorive të ndryshme në zonën e Vlorës fillojnë nga 90 euro në natë për opsione më të lira, duke arritur deri në 200 euro për natë për hotele më luksoze.
Për shkak të numrit të madh të hoteleve dhe apartamenteve në qendër të Vlorës, oferta është e lartë dhe ka mundësi të shumta për të qëndruar larg bregut për 55 euro në hotel dhe deri në 250 euro për një hotel të mirë buzë detit.
Kjo tregon se Vlora mbetet një destinacion i preferuar për pushime në Shqipëri, megjithëse me një kosto tashmë më të lartë krahasuar me vitet e kaluara.
Nga Dhërmiu në Qeparo nuk ka më akomodime ekonomike, arrijnë deri në 600 euro
Akomodimet më të shtrenjta ndodhen në Dhërmi, Jal, Himarë, Borsh dhe Qeparo. Në këto zona është pothuajse e pamundur të gjesh akomodime ekonomike si me apartamente me qira ditore por edhe me hotele.
Për shkak të bukurisë së tyre natyrore dhe plazheve të mrekullueshme, këto zona janë destinacione të preferuara për pushuesit gjatë sezonit turistik. Megjithatë, gjetja e akomodimeve me çmime të arsyeshme bëhet një sfidë për shumë vizitorë.
Gjatë pikut të sezonit turistik, një apartament me qira ditore në këto zona fillon në minimum 60 euro për natë nëse ndodhet larg bregdetit. Çmimet për apartamentet pranë bregdetit mund të shkojnë deri në 80 -100 euro për natë, ndërsa për opsionet më luksoze mund të arrijnë deri në 250 euro për natë.
Një detaj thelbësor që duhet të theksohet është se, edhe pse mund të gjenden akomodime në këto çmime, ato shpeshherë janë shumë të pakta në numër. Kjo sigurisht ka të bëjë edhe me tipologjinë që kanë akomodime specifike, ku një pjesë janë vila dhe nuk jepen me dhoma.
Për vendasit, hotelet në këto zona janë të paarritshme për shkak të kostove të larta të akomodimit. Çmimet për një natë fillojnë nga 250 euro dhe mund të shkojë deri në 600 euro për opsionet më luksoze. Megjithatë, për këtë kategori të akomodimeve, numri i strukturave akomoduese është i kufizuar.
Të shtrenjta, por shiten
Në booking, për datat 9-10 gusht, shumica e strukturave të shtrenjta njoftojnë se kanë vetëm nga një dhomë të lirë. Megjithatë operatorët turistikë thonë se kjo mund të jetë dhe një taktikë për të treguar që ka një fluks të lartë kërkesash.
Ndërkohë ka dhe shumë struktura të shtrenjta (250-300 euro nata) që po për këtë datë thonë që janë tërësisht të rezervuara.
Çmimi më i shtrenjtë në jug është për vilat, që arrin dhe mbi një mijë euro në natë por që kanë kapacitet akomodues më të lartë në krahasim me dhomat e hoteleve.
Për hotelet dhe njësitë akomoduese të shtrenjta, vlerësimet (review) janë përgjithësisht të larta, mbi 8 (shumë të mira) apo mbi 9 (të shkëlqyera) apo dhe afër 10 (të jashtëzakonshme). Megjithatë ka dhe hotele me çmim 360 euro nata, ku vlerësimi është poshtë 8.
Në një rast ku vlerësimi është 7.8, pushuesit japin pikë të ulëta për stafin dhe vlerën për para. “Shërbimi ishte shumë i keq! Çmimi është shumë i lartë për Shqipërinë, ndaj ne prisnim shërbim të mrekullueshëm”, shkruan Jakub nga Çekia.
Ndërsa një tjetër njësi që në gusht ka çmime deri në 700 euro nata (dhomë për tre persona), dhe në shtator çmimet zbresin në 450 euro, vlerësimi arrin në 9.6.
“Kaluam shumë mirë! Qëndruam në një suitë të bukur me pamje nga deti. Ishte e gjerë, e rehatshme, e pastër dhe moderne. Personeli, dhoma, pamja, gjithçka ishte kaq e pabesueshme. Kaluam një kohë të mrekullueshme të ulur në ballkon duke parë detin gjatë natës”, shkruan Katya nga Kanadaja.
Edhe Saranda shtrenjtohet, por ka dhe alternativa ekonomike
Në qytete si Saranda, trendi i rritjes së çmimeve për akomodime vazhdon të jetë i dukshëm, megjithatë në një shkallë më të butë krahasuar me Vlorën.
Apartamentet që ndodhen në qendër të qytetit mund të kushtojnë nga 40 euro deri në 280 euro për natë, ndërsa ato pranë bregdetit mund të shkojnë deri në 320 euro për natë.
Në Sarandë, opsionet për akomodim në hotelet e qytetit mund të ndryshojnë në çmim në varësi të afërsisë me bregdetin. Në Hotelet e qytetit mund të flesh duke shpenzuar 80 euro në hotele larg bregut dhe deri në 300 euro nëse merr një hotel të mirë buzë detit.
Kjo tregon se rritja e çmimeve nuk është një fenomen i izoluar, por një trend i përgjithshëm që po prek të gjithë zonën bregdetare të Jugut të Shqipërisë.
Operatorët turistikë shprehen se ka një tendencë për përfitime të shpejta në jug, çka po ndikon në rritjen e çmimeve. Por, nga ana tjetër ka ndryshuar tipologjia e turistëve që po shpenzojnë gjithnjë e më pak, teksa po vijnë shumë të rinj.
Në rritje edhe kampingjet
Përveç hoteleve dhe apartamenteve, edhe opsionet e tjera për akomodim si kampingjet kanë përjetuar një rritje të vazhdueshme të çmimeve. Në vitin e kaluar, një çadër kampingu mund të gjendej për 10 euro në ditë, duke e bërë atë një opsion të arsyeshëm për buxhetin e udhëtarëve.
Megjithatë, këtë vit ky çmim është rritur në 30 euro për natë. Kjo tregon se edhe opsionet më të lira për akomodim po përballen me një rritje të ndjeshme të kostove, gjë që mund të ndikojë në zgjedhjen e destinacionit për pushime.
Si krahasohet Jugu me Greqinë
Krahasuar me vendet e tjera turistike në rajon, si Greqia, ku mund të gjenden shumë apartamente me qira ditore në çmime më të arsyeshme, Shqipëria po has me sfida të mëdha për të mbajtur konkurrencën në tregun e turizmit.
Në destinacione të njohura turistike të Greqisë si Athina, Mykonos, Rodos, Parga dhe Kreta, çmimet për akomodime vijnë në shkallë të ndryshme, duke ofruar një gamë të gjerë opsionesh për vizitorët.
Në Athinë, për shembull, çmimet për apartamente me qira ditore lëvizin nga 26 euro deri në 1600 euro për një natë, ndërsa për hotele luhaten nga 45 euro deri në 2000 euro, sipas një kërkimi në Booking.
Mykonos ofron apartamente me qira ditore nga 115 euro deri në 3350 euro për një natë, ndërsa hotelet mund të kushtojnë nga 150 euro deri në 3900 euro për një natë.
Rodos, një destinacion i njohur për plazhet e tij dhe trashëgiminë e tij historike, ofron apartamente me qira ditore nga 42 euro deri në 340 euro për një natë, ndërsa çmimet për hotelet lëvizin nga 50 euro deri në 390 euro për një natë. Parga ofron apartamente me qira ditore nga 55 euro deri në 300 euro për një natë dhe hotele nga 90 euro deri në 400 euro për një natë.
Në Kretë, ishulli i pestë më i madh në Mesdhe, çmimet për apartamente me qira ditore lëvizin nga 40 euro deri në 225 euro për një natë, ndërsa për hotele mund të kushtojnë nga 60 euro deri në 700 euro për një natë.
Këto çmime tregojnë një gamë të gjerë opsionesh për vizitorët, duke përfshirë nga opsionet më të lira deri te ato më luksoze, në varësi të preferencave të tyre dhe standardit të shërbimeve të kërkuara.
Shqipëria ndryshe nga vendi fqinjë mund të ofrojë çmime të lira por nuk ka një numër të lartë të këtyre akomodimeve.
Në Sarandë, për shembull, oferta e apartamenteve të disponueshëm në çmimin minimal prej 35 euro për natë është shumë e kufizuar.
Ata zakonisht janë larg bregdetit dhe shpesh nuk ofrojnë kushte të nevojshme për turistët, siç janë mungesa e kuzhinës ose kanë vetëm një dhomë./Monitor