Aktualitet Juli, e bija e Mark Shllakut rrëfen amanetin që tronditi opinionin

Juli, e bija e Mark Shllakut rrëfen amanetin që tronditi opinionin

Nga Edi Lesi*

Një vajzë 8-vjeçare kërkon të takojë të atin para se t’ia pushkatojnë. E mitura troket në derën e xhelatit, për të marrë lejen. Duart i dridhen. Nuk është hyrja e një legjende, as letërsi. Në një ditë si kjo, fund tetori, 70 vite më parë, Juli Shllaku u ndal me droje para shtëpisë ku rrinte shefi i degës, Shkodër. Babai i saj, Mark Shllaku sapo ishte dënuar me vdekje. Ekzekutimi do të bëhej për pak ditë. E ëma e shoqëroi deri afër banesës, dhe e la vogëlushen ta kërkonte të drejtën për takimin e fundit me të atin, duke menduar se kështu do të ishte më efektive.

“Më çoi mama deri afër, e masanej i rashë vetë derës. Ishte nga ato shpitë e mëdhaja me ballkone druni, të sekuestrume tregtarëve. Shefit të degës, nuk ja maj men emrin. I thashë, a mund ta takojmë babën për herë të fundit. Më tha po, më dha një pusullë, shko takoje”, rrëfen Juli, sot 78 vjeç. Ajo mendon se kryepolici i Shkodrës u tregua bujar, se u ndikua nga fëmijët dhe gruaja e tij, që ishin aty, kur ajo hyri në oborr.

E bija e Mark Shllakut, jeton me djalin, Antonin, në një apartament pranë Shkollës së Mesme të gjuhëve të huaja në Tiranë. Nuk i ka të shpeshta vizitat, edhe pse kërkesat nuk mungojnë. Ka vuajtur jo pak nga shëndeti. Teksa ngjitemi në ashensor për ta takuar, bashkë me fotografin Florion Goga, vrasim mendjen se si do të ishte shtrëngimi i duarve, se cilat mund të jenë fjalët e para. Nuk duhet të jetë e lehtë me një njeri kaq të vuajtur.

Mirëpo, del një hyrje mjaft e përzemërt. Ajo e ka merak që të pritemi mirë dhe me respekt, me pijet e duhura. Antoni na servir raki nga më e mira, e shtëpisë.

Më 25 shtator, sipas terminologjisë së sotme të medias online, u bë virale një letër. Amaneti i Mark Shllakut për të shoqen para se të shkonte drejt pushkatimit, ndryshoi ditën, gjendjen, dhe humorin e çdokujt që e lexoi. E besueshme është që nuk ngeli njeri pa e parë.

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta, vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.

Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidh kambësh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbetur me jetue. Mendjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e smë lanë me dekë… banu e fortë. Marku!

Angje! Ne t’u mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri në çast të mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet  mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë.

Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutëm me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.

Të lutem me mu interesue për eshtrat, të mos më harrojsh për kurdoherë. Me mi marrë eshtrat e me mi çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.

Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.

***

Marku, një arsimtar 31-vjeçar, ëndërrimtar, i linte këto porosi së shoqes. Të kujdesej për vajzat, të vazhdonte jetën, të martohej, por mos ta harronte. I kërkonte t’i gjente eshtrat, duke i dhënë një orientim. Do të kishte një copë metalike me emrin e tij, që do ta lidhte te këmbët.

“Unë vetë e kam zbuluar letrën, në vitin 1976, pasi më vdiq mama”, tregon Juli Shllaku.

70 vjet qëndroi e fshehur kjo letër. Antoni vetë, ka pak muaj që e ka parë. Juli e ka nxjerrë dhe e ka bërë publike kur mori vesh se paskan ardhur disa ekspertë të huaj që ndihmojnë në zbulimin e varreve dhe gjetjen e eshtrave.

Gruaja e Markut, duke ndjekur kumtin që i thoshte të kujdesej për vajzat, ishte munduar ta mbante gjithë pikëllimin mbi vete dhe të mos i ngarkonte të bijat me këtë dramë të pazakontë. Dhe ia kishte dalë për së mbari. Vetëm pasi ajo ndërroi jetë, Juli, duke rrëmuar nëpër rafte, e gjeti amanetin brenda një ditari të babait të saj.

“Ai ditar, ato letra, ato poezi, vjersha, dhe disa piktura që kemi prej tij, shpëtuan”, thotë Juli, e cila edhe pse 8 vjeç në atë kohë e mban mend fare mirë se pas pushkatimit, ushtarë të rreptë erdhën dhe e kthyen shtëpinë përmbys, ku nuk kursyen as perdet, me idenë e ngulmët për të gjetur prova të implikimit të mësuesit Mark Shllaku në veprën e rrëzimit të pushtetit komunist.

“Këto shpëtuan sepse ata që erdhën për kontroll, ishin injorantë. Nuk i kuptonin, kushedi si u janë dukur”, rrëfen Juli, teksa i kalon nëpër gishta ato shënime të zverdhura e të dala boje prej viteve. Janë pikërisht origjinalet, të shkruara në letrat e paketës së duhanit, Ylli i Kuq. Dhe dy foto të Markut, i ri, dhe pak para se ta dënonin, i mban aty.

E mban mend shumë mirë të atin. Ishte mësues në Kabash të Pukës, një zonë tejet e thellë. Ajo thotë se e ka marrë një herë me vete. Mark Shllaku synonte t’i argëtonte nxënësit e tij dhe i nxiste të ishin kreativë. Edhe vetë kishte marrë pjesë në role në estradë. Kishte shpirt artisti.

E kujton saktë ditën kur u dha vendimi, dënim me vdekje. Kur e nxorën nga salla e gjyqit, rrethohej nga ushtarë.

“Mama jeme u sul me e taku. Dhe i ndau ushtarët, e u përqafu me të. Po nuk e lanë ma shumë”.  Juli e ka treguar disa herë këtë histori me të afërm e miq. Edhe në këtë rrëfim për gazetën Mapo, nuk i ndal dot lotët.

Jemi shtangur bashkë me Florin, i cili e ka ende të vështirë të bëjë gati aparatin. Kjo histori nuk është e zakonshme.

***

Juli e mori lejen. Shkoi bashkë me të ëmën në burg, aty në Shkodër ku po e mbanin. U takua për herë të fundit me babën, jo shumë gjatë. Marku i tregoi të shoqes se brenda dyshekut ka fut do gjana, ajo duhet t’i marrë.

Mes sendeve të fshehura në atë grumbull të vjetruar me rrecka, ishte amaneti.

Tek porositë e Mark Shllakut që ka ngelur në mendjen e kujtdo që ka lexuar letrat, ishte edhe ajo për të shlyer borxhin e tjegullave, te Haliti.

E pyesim Julin për këtë.

“Haliti ishte tregtar. Mama mas do mujsh që e vranë babën, i bani lekt, dhe shkoi e takoi. I tha ky është borxhi dhe ja dorëzoi. E kam amanet prej Markut. Po ai nuk pranoi me i majt. Nuk pranoi në mënyrë absolute”.

Kërkesa kryesore e Markut ishte gjetja e eshtrave. Ai kishte dëgjuar në burg se çfarë ndodh me të dënuarit me vdekje dhe sa e vështirë ishte t’u gjenden trupat. Juli thotë se e ëma, menjëherë pas pushkatimit, pagoi një fshatar të zonës, i cili mihi krejt pjesën e Kirit ku bëheshin ekzekutimet, po nuk gjeti gjë.

“Mama u martu, e u donte me ndryshu mbiemnin për me fillu punë. Nuk fillonte dot ndryshe. Dhe baba ja pat lan në letër, që me u martu, me vazhdu jetën. Masnej, masi u martu, prej shërbëtore në çerdhe që ishte, ja dhanë të drejtën me ushtru profesionin e saj që e donte shumë, si nimsmjeke”.

Eshtrat e Mark Shllakut nuk janë gjetur ende. E bija nuk është optimiste. Ka dëgjuar dëshmitarë, e banorë të zonës, në luginën e Kirit, aty ku kryheshin ekzekutimet, se prej nxitimit, toga e pushkatimit mund ta ketë lënë trupin në sipërfaqe. Dhe rrjedha pastaj me siguri e ka marrë dhe një zot e di se ku janë. Të pakta duken shanset për t’u gjetur.

“Unë edhe pak do jem, do ja lë amanet Tonit”, thotë Juli, e cila e ka të birin si perëndi në dritën e syve. Është e prerë kur pohon se këto punë duheshin bërë herët, në fillim të ardhjes së demokracisë. Një seri dramash ka në këtë familje. Në të njëjtin vit që Mark Shllaku u pushkatua, i ati i tij vdiq në kampin e internimit në Tepelenë.

Mark Shllaku u dënua me vdekje pasi u akuzua si nismëtar i themelimit të Partisë Socialdemokrate. Ai po ashtu u gjykua se mbante lidhje me njerëzit e Gjomarkajve dhe Mirakajve. Juli thotë se ai ishte i pakënaqun se si po shkonin punët në vend pas çlirimit. Ishte i mërzitun. Nuk ishte ajo, gjendja, situata që ai donte. Mark Shllaku tjetër gjë kërkonte. Ishte ëndërrimtar.

*Burimi: Gazeta Mapo