Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u (vetë)deklarua fajtor në një gjykatë amerikane të mërkurën, më 26 qershor, për shkeljen e Aktit të Spiunazhit të SHBA, në një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë të SHBA që i dha fund një beteje ligjore shumëvjeçare dhe la sallën e gjyqit si një njeri i lirë.
Gjyqtarja Ramona Manglona miratoi marrëveshjen me prokurorët, duke i dhënë fund sagës 14-vjeçare.
Në përputhje me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ajo e dënoi atë me burg, por të cilin ai e ka vuajtur tashmë. Assange kaloi pesë vjet në burg në Mbretërinë e Bashkuar.
Pas leximit të vendimit, prokuroria tërhoqi kërkesën e saj për ekstradimin e Assange, që ishte një moment i madh duke pasur parasysh se themeluesi i WikiLeaks kaloi vite në gjykatë duke u përpjekur të shmangte ekstradimin në SHBA.
Gjykatësja tha se qeveria amerikane kishte rënë dakord të mos ndiqte akuza të mëtejshme penale.
Assange buzëqeshi ndërsa ajo i parauroi ditëlindjen (ai mbush 53 vjeç javën e ardhshme), duke thënë se shpresonte ta fillonte jetën e tij të re pozitive.
Assange është tani një njeri i lirë dhe mund të kthehet në vendlindjen e tij Australi pas vitesh në mërgim.
Platforma e Assange, WikiLeaks, publikoi mijëra dokumente të klasifikuara ushtarake amerikane në lidhje me pushtimin amerikan të Afganistanit dhe Irakut.
Uashingtoni pretendoi se australiani rrezikoi jetën e agjentëve amerikanë dhe se “nuk kishte asnjë justifikim për aktet e tij kriminale”. Mbështetësit e tij, nga ana tjetër, e trajtojnë atë si një hero që u ndoq penalisht “për zbulimin e krimeve amerikane”.
Policia britanike e arrestoi australianin në vitin 2019 në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku qëndroi shtatë vjet.