Ish-presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, ka një qasje tjetër nga ajo që mund të kenë shumë zyrtarë të lartë të Europës mbi Rusinë.
Në një intervistë për “Groupe d’études géopolitiques”, Juncker tha se BE duhet të angazhohet drejtpërdrejt me Rusinë, në vend që thjesht të mbështetet në marrëdhëniet Rusi-SHBA për të zgjidhur problemet e sigurisë së kontinentit të vjetër.
“Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, Rusia është fqinji ynë. Ne nuk mund të ndryshojmë gjeografinë; Europa është afër Rusisë dhe kjo afërsi ka pasoja. Të parashikosh një arkitekturë sigurie për Evropën pa i rezervuar një vend Rusisë është një rrugë qorre. Nuk do të thosha se kjo është pavarësisht nga problemi në Krime apo Ukrainën Lindore, por ne duhet të kemi një marrëdhënie të vazhdueshme me Rusinë. Duhet të flasim me njëri-tjetrin. Amerikanët nuk janë pranë Rusisë. Në lidhje me këto dy çështje – Rusinë dhe Kinën – ne nuk mund të ndjekim udhëzimet që dalin nga Uashingtoni; ne duhet të kemi autonomi analitike dhe operacionale”, citohet Juncker nga Euractive.
Në vetvete, qëndrimet e Juncker nuk janë diçka e re. Në kohën kur marrëdhëniet e Europës me Rusinë ishin në pikën më të ulët, pas aneksimit të Krimesë, Juncker ishte ndër të parët që mbështeti “bisedimet me Rusinë”.