Kur Jürgen Klopp zëvendësoi Brendan Rodgers në tetor 2015, skuadra e Liverpoolit pozicionohej e teta në Premier League dhe nuk kishte një organikë që të ëndërronte gjëra të mëdha. Prezantimi i tij me frazën e famshme “Unë jam Normali”, duke e diferencuar veten nga Mourinho dhe “I veçanti”, e bëri të qartë se ai ishte një teknik tjetër …, por nuk do ta merrte aq lehtë në “Anfield”.
Formacioni i parë titullar i Kloppit te Liverpooli ishtë ky: Mignolet; Clyne, Skrtel, Sakho, Alberto Moreno; Lucas Leiva, Emre Can, Lallana, Coutinho, Milner dhe Origi. Vendin e tetë e ruajti deri në fund të sezonit.
Dy vendet e katërta në sezonet 2016-17 dhe 2017-18 treguan se projekti “Klopp” po rritej më shumë jashtë kufijve të Ishujve Britanikë sesa në shtëpi, megjithëse trofetë nuk po vinin. Finalja e Europa League-s e humbur kundër Sevillas në vitin 2016 dhe finalja e Champions League në 2018 kundër Real Madridit i bënë njerëzit të ëndërrojnë, por qershia mbi tortë mungoi.
Deri në sezonin e tij të katërt në krye të Liverpoolit loja e egër në fushë nuk po përkthehej në trofe për vitrinën e “Anfield”, por erdhi më fund me titullin e kampionit të Europës (Championsi), i fituar në “Wanda Metropolitano” përballë Tottenhamit. Ishte trofeu i parë që Klopp ngriti si trajner i Liverpoolit e që u pasua nga Superkupa Europiane dhe Botërori i Klubeve, i siguruar dhjetorin e kaluar.
Më në fund erdhi edhe trofeu i Premier League-s, një vit pas atij kampionati të pazakontë, ku as 97 pikë nuk mjaftuan për të ngritur kupën. Ishte radha e tij: “Ne duam të krijojmë historinë tonë në Liverpool.” Misioni u përmbush.
“Unë prita katër vite e gjysmë, jo tridhjetë”
Trajneri i Liverpoolit, Jürgen Klopp, i kontaktuar nga Sky Sports pas shpalljes matematikisht kampion i Premier League, u shfaq para kameras tepër i emocionuar.
“Është e jashtëzakonshme të jesh kampion me këtë ekip. E kam patur shumë të thjeshtë t’i motivoja lojtarët për shkak të historisë së madhe që ka klubi. Është një arritje e jashtëzakonshme për lojtarët e mi, është gjithçka që ata kanë bërë për tre vitet e fundit.”
Klopp u shfaq në një lidhje të drejtpërdrejtë me legjendën e Liverpoolit, Kennie Dalglish, të cilin e falënderoi për të gjithë mbështetjen që i dha. Dukshëm i emocionuar dhe me lotët që thuajse i rridhnin nga sytë, Klopp gjithashtu kishte kohë të bënte shaka, duke u shprehur se atij nuk i është dashur të presë tridhjetë vjet për të ngritur titullin, por vetëm katër e gjysmë.
"This is a big moment, I have no real words. I am completely overwhelmed. I never thought I would feel like this!" 😭
An emotional Jurgen Klopp broke down in tears after his #LFC side sealed the Premier League title!pic.twitter.com/Lo9IGceYLU
— Sky Sports News (@SkySportsNews) June 26, 2020
Përveç kësaj, Klopp u bëri thirrje tifozëve që të festojnë titullin duke respektuar masat dhe të mos dalin në rrugë si të çmendur.
“Shpresoj të qëndroni në shtëpi. Kjo është në zemrat tona dhe në kokat tona. Dilni më së shumti në oborrin e shtëpisë.”