Dy ditë pasi u mor në pyetje nga prokurorët në SPAK, socialisti Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e deputetit.
Të martën Çyrbja u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00 të paradites dhe për 5 orët në vijim dha deklarime para organit të akuzës në lidhje me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka, gjatë kohës që deputeti mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrësit.
Ai doli nga Prokuroria e Posaçme në orën 15:00, por refuzoi të ndalej që të prononcohej për gazetarët. Ligjvënësi i PS për qarkun e Durrësit nuk ndau asnjë detaj mbi arsyen e pranisë në SPAK, përveç se ishte paraqitur si person në dijeni për një çështje.
Paloka dërgoi Çyrbjan në SPAK, duke e akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Ai e akuzoi Çyrbjan për mbivendosje prone, pasi brenda një dite ka firmosur dy praktika për të njëjtën pronë.
“Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone”, shprehej Paloka.
Në të njëjtën kohë, Paloka tha se disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.