Bledar Dervishaj, këshilltari ligjor i presidentit Ilir Meta ka akuzuar Kuvendin se ka ndërhyrë dhe ka manipuluar provat lidhur me provën e depozituar ditën e sotme nga Kuvendi në seancën e Gjykatës Kushtetuese që po shqyrton shkarkimin e Metës.
Dervishaj i kërkoi gjykatës që të shqyrtojë vërtetësinë e provës duke theksuar se ka pasur ndërhyrje më qëllim që të rrëzoheshin pretendimet e presidentit.
“Ne kundërshtuam vërtetësinë e një prove të depozituar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë i cili sipas Kuvendit përfshihet edhe urdhri i datës 05.05.2021 i kryetarit të Kuvendit që ka të bëjë me thirrjen e seancës plenare të datës 07.05 2021, kur do ngrihej Komisioni Hetimor dhe raporti i Komisionit të Ligjeve. Ne na rezulton një ndërhyrje dhe manipulim prove. Konkretisht urdhri që i depozitoi si provë Gjykatës Kushtetuese mban datën 05.05.2021, ndërkohë që sipas urdhrit të publikuar në faqen e Kuvendit të Shqipërisë dhe që u pranua edhe nga Kuvendi mban datën 06.05.2021. Edhe ky urdhër është me të njëjtin format dhe me firmën e kryetarit të Kuvendit. Ka ndërhyrje edhe në përmbajtje të rendit të ditës. Pikërisht për këto shkaqe dhe këto ndërhyrje në prova është kërkuar nga ana e jonë që gjykata të shqyrtojë vërtetësinë e kësaj prove pasi ka ndërhyrje me qëllim që të rrëzohen pretendimet e Presidentit të Republikës. Seanca plenare është caktuar në vetëm 24 orë ndërkohë që duhen 48 orë, vetëm e vetëm që të arrihej në ngritjen e një komisioni që nuk mund të funksiononte në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës.” – tha Dervishaj.
Edhe në seancën e fundit, përfaqësuesit e Presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit. Sipas tyre, Presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament, para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor.
Sot në Gjykatën Kushtetuese zhvillohet seanca e tretë lidhur me shkarkimin e presidentit Meta nga Kuvendi më 9 qershor 2021.