Juventus mban Dybala-n në radhët e saj edhe për disa sezone. Sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta Dello Sport”, klubi baredhezi ka arritur marrëveshjen me futbollistin argjentinas për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021 për të mbyllur përfundimisht zërat që e shihnin atë në kampionatin spanjoll.
Gjithnjë sipas “Gazzetta Dello Sport”, në kontratën e re të Dybala-s është parashikuar një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon, por nuk është shtuar asnjë klauzolë për zgjidhjen e saj.
Kjo do të thotë se për çdo klub që do të pretendojë blerjen e Dybala-s në të ardhmen do ta ketë të vështirë për të arritur këtë objektiv, pasi do të duhet të zhvillojë bisedimet me drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”.
Për Dybala-n së fundmi kishte shfaqur interes edhe Reali i Madridit, por futbollisti nuk e mori aspak në konsideratë një lëvizje të tillë duke theksuar se dëshira e tij është që të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës kampione të Italisë.