Juventusi dhe Barcelona po punojnë intensivisht për të mbyllur me sukses operacionin e shkëmbimit mes Miralem Pjanic dhe mesfushorit të katalanëve Arthur Melo.
Bardhezinjtë i kanë bërë një tjetër ofertë brazilianit të Barcelonës, konkretisht një pagë prej 5 milionë eurosh në sezon plus bonuset, për një kontratë 5-vjeçare, ndërsa tani pritet vetëm përgjigja pozitive e këtij të fundit.
Kartoni i Arthur vlerësohet rreth 80 milionë euro, ndërsa sipas mediave italiane, mes klubeve është rënë dakord që në këmbim të tij Barcelona të marrë mesfushorin boshnjak Miralem Pjanic për 70 milionë euro.
Palët po nxitojnë të mbyllin sa më shpejt këtë operacion, pasi duan ta pasqyrojnë në bilanc brenda 30 qershorit, në mënyrë që të përfitojnë nga plusvalencat e shitjes së tyre dhe të shmangin humbjet.
Pjanic nuk bën më pjesë në planet e Sarrit dhe së fundi ka pasur edhe përplasje me trajnerin bardhezi në lidhje me idetë e kundërta për lojën, ndërsa Arthur shikohet si njeriu ideal për të luajtur para mbrojtjes, pasi njihet për saktësi dhe shpejtësi në qarkullimin e topit.
Nga ana tjetër edhe vetë trajneri Quique Setien nuk është se e preferon shumë brazilianin, të cilin në shumë raste e ka lënë në stol, ndërsa mbrëmjen e djeshme, pas fitores minimale ndaj Bilbaos deklaroi se futbollisti është i shpërqendruar nga zërat e merkatos.
Vlen të theksohet se nëse operacioni do të mbyllet me sukses brenda 30 qershorit, futbollistët do të vijojnë të luajnë për skuadrat përkatëse deri në fund të muajit gusht, pasi vetëm në fillim të shtatorit mund të federohen në klubet e rinj të tyre.