Cristiano Ronaldo është bashkuar me grupin, pasi është rikthyer në Torino dhe Juventusi mund të ndezë motorët edhe pse ka ende disa çështje të hapura që ende nuk i lejojnë Allegrit të ketë një tablo krejtësisht të qartë në lidhje me faktin se cilat do të jenë bazat për të nisur ciklin e ri të bardhezinjve. Mbi të gjitha mbetet për t’u kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e Ronaldos. Shumëçka varet nga PSG. Nëse do të humbasin Mbappe francezët do t’i bëjnë një ofertë Juventusit dhe në atë pikë do të jetë gjithçka më e qartë. Përndryshe drejtuesit bardhezinj do të vazhdojnë të punojnë për një rinovim të kontratës, duke e zgjatur deri në 2023, me një ulje të pagës nga 31 në 20 milionë euro në vit.
Është një javë kyç mbi të gjitha për të ardhmen e Dybalas. Do të realizohet më në fund takimi me menaxherin e tij Jorge Antun për rinovimin deri në 2025, me një rritje të pagës nga 7.3 milionë euro në 10 milionë euro neto në sezon plus bonuset. Juventusi është duke vënë në pjatë gjithë gatishmërinë e saj për të kënaqur argjentinasin, duke e mbyllur përfundimisht telenovelën. Është gati edhe rinovimi njëvjeçar i Chiellinit dhe ai deri në 2023 për Cuadrado.
Në mesin e javës është parashikuar edhe takimi vendimtar për Locatellin, pas një lojë tërhiq e mos këput, te Sassuolo nuk janë të bindur në lidhje me formulat që u kanë ofruar bardhezinjtë dhe e vetmja zgjidhje duket ajo e huazimit me detyrim blerjeje për 40 milionë euro. Miliona, që, pjesërisht mund të vijnë edhe nga shitja e Demiral. Në ndjekje të turkut është gjithmonë Atalanta, edhe pse oferta e Borussias së Dortmundit prej 30 milionë eurosh duket më konkrete e natyrisht edhe më joshëse.