Juventus-Napoli, histori e pafund. Emrat do të ishin të mjaftueshëm për të kuptuar shkallën e një sfide, që me kalimin e kohës gjithmonë ka ndezur Serie A. Në vitin 2018 dhe të paktën në fillim të vitit 2019, nëse do të kishit menduar për Juventusin dhe Napolin, fjala “Scudetto” vinte në mendje menjëherë. Pa harruar shumë e shumë kryqëzime në finalet e Kupës së Italisë dhe Superkupës së Italisë.
Këtë vit, megjithatë, Juventus-Napoli ka një histori të ndryshme, të ndërlikuar. Një ndeshje e planifikuar fillimisht për më 4 tetor 2020, e cila, për shkak të peripecive të ndryshme, do të luhet të mërkurën e 7 prillit 2021.
Sot, gjashtë muaj më vonë, pamja e përgjithshme është jashtëzakonisht e qartë për të dyja skuadrat. Juventus-Napoli vlen një sezon.
Një sezon që për Juventusin ka marrë trajtën e njërës prej fjalëve proverbiale “annus horribilis”. Jashtë Ligës së Kampionëve që në mars, asnjëherë nuk hyri në garën e titullit dhe, deri më sot, madje rrezikon edhe zonën e Champions-it. Diçka e paimagjinueshme në startin e sezonit. Është gjithashtu e vërtetë për Napolin, i cili, megjithë një performancë të luhatshme, të përbërë nga 8 humbje në kampionat, mbetet i lidhur “me dhëmbë” pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve.
Për këto arsye, aksionet do të jenë shumë të larta për të dyja palët të mërkurën në “Allianz Stadium”. Renditja është atje për t’u parë dhe i lejon vetes ndryshimeve të papritura. Me përjashtim të Interit, i vetmuar në krye, grupi është kompakt pas liderëve: Milani 60 pikë, Atalanta 58 pikë, Napoli 56 pikë, Juventusi 56 pikë.
Morali i historisë? Kush fiton të mërkurën ngjitet në vendin e tretë, vetëm një hap larg “Djallit”. Kush humb, renditet i pesti. Dhe kur kanë mbetur vetëm 9 ndeshje deri në fund të kampionatit, gabimet nuk lejohen më.
Arsyeja tjetër është pozicioni i Pirlos si trajner, ndërsa me një tjetër disfatë, tekniku italian mund t’i thotë lamtumirë stolit të bardhezinj. Për më tepër kur, drejtuesit e Juventusit monitorojnë prej kohësh Allegrin për një rikthim të mundshëm, ndërsa ka patur dhe një takim së fundi mes trajnerit livorian dhe presidentit Agnelli.
Juventusi e di shumë mirë, Napoli e njeh po aq mirë. Dy kundërshtarë historikë, plot të panjohura, por të thirrur në skenën e krenarisë, në një kryqëzim kurrë banal. Me një fjalë, një ndeshje vendimtare.