Tetë ditë para fillimit të kampionatit, Juventusi është ende në pritje të një qendërsulmuesi. Në fakt, klubi bardhezi ende nuk ka arritur të bëjë goditjen e duhur në këtë drejtim. Siç është raportuar nga “Tuttosport”, pasi është përshëndetur me Gonzalo Higuain, i cili tashmë ka fluturuar për në Miami, disa emra vazhdojnë të shqyrtohen te kampionët italianë. I pari në listë mbetet ai i Luis Suarez, por rruga drejt nënshkrimit të tij nuk është saktësisht e tatëpjetë.
Nga Spanja ka zëra për një ribashkim të mundshëm të uruguaianit me Barcelonën, por edhe për një ndërprerje të mundshme të kontratës në një kohë të shkurtër. E sigurt është se për momentin lojtari nuk ka pasaportë komunitari dhe se nuk është e sigurt që praktika për ta marrë atë mund të kryhet shpejt.
Juve nuk mund të presë shumë, ndaj alternativa e vërtetë për Suarez mban emrin e Edin Dzeko. “Zonja e Vjetër” dhe sulmuesi boshnjak tashmë kanë një marrëveshje në parim, me këto terma: dy vite me nga 7.5 milionë euro në sezon. Palët mund të firmosin në çdo çast, por padyshim kjo ka të bëjë edhe me nevojat e Romës, e cila nuk do ta lirojë sulmuesin e vet derisa të gjejë një zëvendësues.
Në kryeqytet, pasuesi i Dzeko është identifikuar Milik, por arritja te lojtari i Napolit nuk do të jetë diçka e lehtë. Roma në fakt ka vendosur të mbajë Cengiz Under dhe për këtë arsye nuk ka asnjë koleg teknik për të ofruar. Për të blerë kartonin e sulmuesit polak duhen midis 30 dhe 35 milionë eurove, të cilat nuk mund t’i shpenzojnë kryeqytetasit nëse nuk kanë arkëtuar më parë. Dzeko në këtë moment përfaqëson alternativën luksoze të Suarez, por me zhvillimet e pritshme, shpejt do të dilte në “pole position”.
Ndërkohë, Olivier Giroud duhet të fshihet mes emrave në listën e Juventusit. Sulmuesi transalpin, duke folur për “Téléfoot”, e mohoi ekzistencën e kontakteve me Juven: “Këto thashetheme të tregut më befasojnë. Është gjithmonë bukur të marr vëmendjen e klubeve kaq të rëndësishme, jam i kënaqur. Sidoqoftë, mbetem i përqendruar te Chelsea”.