Sport Juve nuk pret më, rrit ofertën për të marrë Dzekon menjëherë

Juve nuk pret më, rrit ofertën për të marrë Dzekon menjëherë

Edin Dzeko e pa nga pankina ndeshjen e parë të Romës përballë Veronës në “Bentegodi” dhe ky vendim i trajnerit Fonseca konfirmoi plotësisht zërat për një largim të mundshëm të boshnjakut nga verdhekuqtë.

Sulmuesi 34-vjeçar është objektivi kryesor i Juventusit dhe sipas mediave italiane, bardhezinjtë kanë gjetur marrëveshjen me Romën për transferimin e Dzekos, por konkretizimi po mbahet peng nga Arkadiuz Milik. Sipas mediave italiane, Roma ka ndryshuar ofertën, ndërsa Napoli nuk e marrë mirë këtë ndryshim dhe për momentin tratativa është pezulluar.

Megjithatë te Juventus nuk kanë ndërmend të presin gjatë, pasi duan t’i vënë Pirlos në dispozicion një sulmues sa më shpejt, dhe gjatë ditës së djeshme kanë rritur ofertën e tyre, duke konfirmuar gatishmërinë për të paguar 17 milionë euro me qëllim që të marrin menjëherë Dzekon.

Kjo shifër është natyrisht shumë e lartë për një futbollist 34-vjeçar, ndaj edhe te Roma janë tunduar dhe kanë vendosur ta lënë në pankinë, ndërsa gjasat janë që nesër paradite gjiganti boshnjak të udhëtojë drejt Torinos për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur me Juventusin.

Ndërkohë, përveçse për polakun Milik, Roma po punon edhe në pista të tjera në sulm, pasi nuk dëshiron të kapet e papërgatitur, ndërsa emri që ka dalë së fundi në skenë është ai i argjentinasit 22-vjeçar Nahuel Bustos, i cili luan me Talleres.