Juventusi kërkon të blejë Federico Chiesën dhe talenti italian mezi pret t’u bashkohet bardhezinjve, ndërsa palët janë në luftë me kohën për të konkretizuar gjithçka brenda datës 5 tetor, kur edhe është afati i fundit i merkatos.
Sipas mediave në Itali, drejtuesit e bardhezinjve kanë arritur marrëveshjen me ata të Fiorentinës për ta marrë futbollistin në huazim me të drejtë blerjeje, që do të bëhej detyrim blerjeje nëse plotësohen disa kushte të caktuara.
Vlera e kartonit të futbollistit pritet të kapë shifrën e 50 milionë eurove, ndërsa vetë Chiesa pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me Juventusin, nga e cila do të përfitojë 4.5 milionë euro neto në sezon.
Gjithsesi merkatoja e klubit bardhezi është e bllokuar, pasi më përpara duhet të shiten disa futbollistë që nuk bëjnë pjesë në planet e Andrea Pirlos, mbi të gjitha emra si De Sciglio, Douglas Costa dhe Daniele Rugani.
Kjo pasi në kushtet e vështira të shkaktuara nga pandemia, klubi bardhezi nuk mund të rrezikojë të shpenzojë shumë për pagat dhe të kalojë në aventurë me financat, pasi mund të bjerë pre e hetimit për shkelje të Fair Play-t financiar.