Juventusi është skuadra e dytë që kualifikohet në finalen e Kupës së Italisë. Bardhezinjtë kanë eliminuar në gjysmëfinale Fiorentinën, pasi triumfuan në të dyja ndeshjet.
Pas fitores së parë me rezultat minimal, në ndeshjen e ditës së sotme në “Allianz Stadium”, skuadra e Allegrit triumfoi falë golave të Bernardeschi dhe Danilo.
Në finale “Zonja e Vjetër”, do të përballet me Interin, që ditën e djeshme, eliminoi Milanin, pasi fituan me rezultatin 3-0.
Juventus e ka fituar këtë trofe plot 14 herë, më shumë se kushdo tjetër në Itali, ndërsa Interi do të kërkojë në Romë Kupën e tetë në histori. Do të jetë finalja e 21 për bardhezinjtë dhe e 14-ta për skuadrën e Inzaghit që është në garë edhe për titullin kampion. Kjo është finalja e tretë e Kupës mes Interit dhe Juventusit. Dy të parat janë luajtur në vitet 1959 dhe 1965.