Sport Juventus-Inter, garë titulli për rekord falë Sarrit dhe Contes

Juventus-Inter, garë titulli për rekord falë Sarrit dhe Contes

Kush është aty para nesh në renditje, por bën diçka të jashtëzakonshme, por edhe ne po bëjmë diçka të pabesueshme, duke ruajtur ritmin e tyre. Nëse nuk do të ishte për Interin, atëherë këtë sezon do t’ia kishit dhënë titullin Juventusit që tani dhe nuk do kishte më garë”, deklaroi Antonio Conte pas fitores me Torinon.

Juventusi dhe Interi janë dy skuadrat që kanë nisur shkëputjen në krye të renditjes së kampionatit italian, por që nuk po shkëputen dot nga njëra-tjetra, pasi të dyja vazhdojnë të fitojnë rregullisht, duke vendosur rekorde të reja.

Kështu Juventusi i Sarrit triumfoi të shtunën në Bergamo, në një ndeshje vërtetë të komplikuar, ku bardhezinjtë vuajtën jo pak, por që konfirmuan edhe njëherë se janë një skuadër që nuk dorëzohet deri në fund.

Sezonin e kaluar Juventusi pësoi humbjen e parë më 7 nëntor ndaj Manchester United, ndërsa këtë vit formacioni i Sarrit vijon të jetë i pamposhtur si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ndonëse mbrojtja duket se ka më shumë pasiguri sesa një vit më parë.

Kjo shpjegohet edhe me penalltinë e pësuar të shtunën, që ishte e katërta kundër bardhezinjve në 13 javë, por natyrisht që peshon jo pak edhe mungesa e një emri si Giorgio Chiellini, që ka qenë lider i prapavijës në 10 vitet e fundit.

Shifra të jashtëzakonshme po regjistron edhe Interi i Antonio Contes, me teknikun që u bë i pari që çon skuadrën te goli në të 13 javët e para të kampionatit, por edhe në të gjithë ndeshjet sezonale, që e çojnë numrin në 17.

Lukaku dhe Lautaro janë simboli i suksesit të këtij Interi, me belgun që dje shënoi golin e dhjetë sezonal në vetëm 13 javë (vetëm Stefano Nyers ka bërë kaq mirë sa ai), ndërsa sulmuesi argjentinas gjeti golin e 6 në kampionat.

Lautaro Martinez konfirmohet edhe si njeriu që zhbllokon ndeshjet, pasi me rrjetën e mbrëmshme ka shkuar në kuotën e 8 golave të shënuar brenda 30 minutave të para, në të gjitha kompeticionet zyrtare.

Të gjitha këto shifra konfirmojnë se të dy skuadrat që mbajnë vendet e para të kampionatit italian, do të duelojnë ashpër për titullin kampion deri në fund të sezonit, duke lënë të hapur dhe bërë më interesante garën.