Sport Juventus-Lion, të gjitha dilemat Sarrit, Cuadrado është “jolly”

Juventus-Lion, të gjitha dilemat Sarrit, Cuadrado është “jolly”

Përgatitja për Ligën e Kampionëve për Juventusin ka filluar prej më shumë se një jave, pasi Sarri dhe lojtarët e tij shijuan festën e titullit, ashtu siç dëshironte fillimisht trajneri. Bardhezinjtë do të luajnë kualifikimin për në “Final Eight” të Lisbonës. Ditët para orës së të vërtetës, megjithatë, sjellin dyshime, ngrenë pikëpyetje dhe shtrojnë probleme për t’u zgjidhur. E pari dhe më i madhi problem: kushtet e Paulo Dybala, lojtarit në formën më të mirë të Juventusit të vitit 2020, njeriu që kundër Sampdoria, nëntë ditë më parë, pati një problem të muskujve, që mund ta mbajë larg nga sfida. Kushtet e tij mbeten ende për t’u vlerësuar. Nëse nuk ia del, megjithatë, Higuain është gati. Një zëvendësues natyror.

Problemi i dytë lidhet me ish-in e madh të sfidës, Miralem Pjanic; i paprekshëm dhe i pazëvendësueshëm deri në ndeshjen Juventus-Atalanta. Në shtatë sfidat e fundit, megjithatë, vetëm tri herë e ka nisur si startues. Tri herë në pankinë, plus skualifikimin e fundit. Përdorimi i minimizuar i tij nga Sarri. Përveç kësaj, pa qëndruar kurrë në fushë për 60 minuta. Prania e boshnjakut që nga minuta e parë është në dyshim, mbetet për t’u vlerësuar. Edhe pse Matuidi dhe Ramsey nuk janë shfaqur veçanërisht të shëndetshëm.

Dyshimi i tretë ka të bëjë me të djathtën e sulmit. Nëse në të majtë është i sigurt CR7 dhe në qendër njëri nga dy argjentinasit, Dybala ose Higuain, në të majtë ka balotazh të hapur. Bernardeschi, në fakt, sipas “Gazzetta dello Sport”, mund të kapërcehej nga Juan Cuadrado në hierarkitë për të kompletuar “tridentin” ofensiv. Gjatë sezonit, kolumbiani u përdor rregullisht si mbrojtës i djathtë, me rezultate të kënaqshme. Në nëntë raste e ngriti qendrën e tij të gravitetit dhe luajti si sulmues krahu, duke përfshirë edhe sfidën e “Wanda Metropolitano” në grupin e Champions-it, kundër Atlético Madrid. E dhjeta mund të jetë kundër Lyon-it. Paparashikueshmëria e tij në të dribluar dhe shpejtësia mund ta shpërblejnë kolumbianin karshi ekuilibrit që garantohet nga Bernardeschi. Sarri ka ende tri ditë për ta pjekur vendimin e tij taktik, që mund të dëshmohet thelbësor. Vështirë të presësh surpriza të mëdha. Të gjithë presin që Juve të zhbëjë me çdo kusht disavantazhin 1-0 të ndeshjes së parë, për të shkuar në fazën finale të Lisbonës.